LAJMI I FUNDIT:

Gjykatësi ndërkombëtar, që punoi 13 vjet në Kosovë, ndërton hotel luksoz në Maltë

Gjykatësi ndërkombëtar, që punoi 13 vjet në Kosovë, ndërton hotel luksoz në Maltë

Ish-gjykatësi nga Malta, Carol Peralta, i cili shërbeu për 13 vjet si gjykatës i rasteve për krime lufte dhe krim të organizuar në kuadër të UNMIK-ut Kosovë, ka tërhequr vëmendjen e medieve në Maltë pasi po planifikon ndërtimin e një hoteli 6-katësh në vendin e tij.

Siç shkruan mediumi i njohur maltez, “Malta Today”, Peralta ka paraqitur një kërkesë në autoritetet shtetërore në Maltë për ndërtimin e një hoteli prej 3 yjesh në qytetin Mellieha, jashtë zonës së planifikuar për ndërtime të larta.


Sipas aplikimit të dorëzuar në autoritetet shtetërore, zona e planifikuar për ndërtimin e hotelit përfshin mbi 5 mijë metra katror.

Hoteli do të përfshij 118 dhoma të mysafirëve, mbi gjashtë kate dhe objekte ndihmëse të përbëra nga 38 hapësira parkimi në nivelet e bodrumit, një restorant, dy bare, një zonë për palestër dhe dy pishina, transmeton Insajderi.

Në karrierën e tij, siç shkruajnë mediet malteze, Peralta i ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit për shkarkimin e tij nga pozita e gjykatësit, si dhe ishte raportuar se ai i përkiste një shoqërie masonike.

Peralta, nga viti 2002 deri më 2015 kishte shërbyer si gjykatës në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) me juridiksion mbi krimet e luftës dhe krimin e organizuar.

Si gjykatës në Kosovë, Peralta njihet për rastin e Xhavit Morinës, ish-ushtarit të UÇK-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, i cili në vitin 2003 ishte dënuar me 13 vjet heqje lirie nga një trup gjykues të cilin e kryesonte gjyqtari maltez.

Morina akuzohej për “terrorizëm dhe se ka qenë komandant i AKSH-së ose i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”.