LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Speciale goditi imazhin e Kosovës

Gjykata Speciale goditi imazhin e Kosovës

Imazhi i Kosovës është i atakuar në mënyrë drastike pas aktakuzave të Gjykatës Speciales ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Përveç aspektit politik, gjykimet e Speciales pritet të ndikojnë negativisht edhe në fushën e ekonomisë. Kështu vlerësojnë ekspert të ekonomisë dhe deputet të Kuvendit të Kosovës.


Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se aktakuzat e fundit të Speciales përveç që njollosin luftën çlirimtare, godasin rëndë edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetari i komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, thotë se çështja ekonomike do të ketë ngecje më shumë se 1 vit, pas sipas tij, investitorët kërkojnë siguri në investime.

“Sigurisht që ndikojnë në skenën politike pasi ka aktakuza ndaj zyrtarëve politik. Kjo do të ketë ndikim, nuk do të duhej ta kishim brengën edhe aq të imazhit ekonomik, këtu kemi të bëjmë me historinë e vendit tonë. Pra, po tentohet t’i vihet një njollë vendit tonë historike për një luftë çlirimtare që kemi bërë. Këtu kemi problemin, çështja ekonomike mundet 1 vit me pas ngecje. Sa i përket aspektit ekonomik, investitorët kërkojnë siguri në investime. Ajo çka ana pengon është kjo çështja historike. Po vendoset një njollë në historinë çlirimtare të vendit tonë.

Edhe deputeti nga Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi ka thënë se zhvillimet e fundit me ngritjen e aktakuzave ndaj çlirimtarëve dhe dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi, do të ndikojnë edhe në ulej e investimeve të huaja në Kosovë.

Deputeti Abrashi thotë se këto ditë duhet të ketë unitet politik dhe maturi për një përkushtim më të madh ndaj shtetit të Kosovës.

“Definitivisht mendoj që po. Ajo çka ka ndodhur në speciale është diçka që realisht ka qenë e pritshme. Ne si Aleancë në atë kohë kur është votuar specialja, kemi qenë kundër… Definitivisht po, është e pa evitueshme. Është një momentum i cili është i komplikuar, por populli i Kosovës ka ditë edhe kur ka pasur probleme edhe më të mëdha me veprua me maturi, me dashtë shtetin e Kosovës. Me iu përkushtua maksimalisht obligimeve që kemi ndaj shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu deklaron për KP, se Kosova është në krizën më të madh që nga viti 1999, jo vetëm në aspektin politik, ekonomik e social, por edhe në shtet ndërtim.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu thekson se imazhi i Kosovës është në pikën më kritike.

“Është krijuar një momentum që vërtet sot shkon në interes të armiqve të pavarësisë sesa qytetarëve të shtetit… shto kësaj edhe imazhi i cili është i atakuar dhe i goditur në mënyrën më drastike që dëshmon më së miri se para çfarë sfidave është Kosova. Është koha kur duhet të reflektojmë një unitet politik… Imazhi i Kosovës është në pikën më kritike derisa ne merremi mes veti dhe pengojmë çdo gjë në aspektin intern, jo vetëm mes pozitës dhe opozitës. Shihet edhe relacioni mes partnerëve qeveritar, derisa armiqtë e Kosovës janë aktiv duke përdor çdo kanal diplomatik. Çdo mundësi për të promovuar efektet negative të Kosovës. Vet fakti i Gjykatës së Hagës e dëshmon më së miri se sot gjykohet Kosova”, theksoi ai.

Ndërsa, deputetët e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë dashur të flasin për ndikimet e zhvillimeve nga Haga.