LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka që u tha për Kosovën sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Gjithçka që u tha për Kosovën sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka mbajtur mbledhje sot në New York, ku është diskutuar lidhur me Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për punën tremujore të misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Në këtë mbledhje në fokus të diskutimeve ishte edhe aksioni i Njësisë Speciale të Kosovës në veri dhe arrestimi i qytetarëve serbë si dhe një zyrtari të UNMIK-ut.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm përfshin punën e UNMIK-ut nga 16 janari deri më 15 maj të këtij viti, në të cilin theksohet se tensionet në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbesin pengesë e vazhdimit konstruktiv të dialogut.

Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në këtë mbledhje ka prezantuar raportin për punën tremujore të këtij misioni në Kosovë, duke thënë se gjendja në terren dhe raportet Kosovë-Serbi janë serish të brishta.

Ai tha se mbledhja e sotme e KS të OKB-së përkon me Rezolutën 1244 për t’i dhënë fund luftës në Kosovës dhe se gjatë këtyre viteve ka pasur progres në Kosovë.

“Mungesa e angazhimit shtesë e palëve mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur. Angazhime produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga vjeshta e viti 2018. Vendosja e taksës 100 për qind nga Prishtina për mallrat serbe dhe atyre nga Bosnja ende vazhdon, pavarësisht thirrjes për heqjen e saj. Beogradi ka qëndrim për heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e bisedimeve të mbështetura nga BE-ja. Udhëheqësit e Prishtinës po ashtu kanë pasur kushte”, thuhet në raportin e Tanin.

Ai kërkoi nga udhëheqësit e ‘të gjitha palëve të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre, që gjendjen komplekse ta drejtojnë larg nga përshkallëzimi serioz, pa kërcënime dhe ultimatume’.

“Shpresoj se të gjitha palët e angazhuara mund të punojnë bashkërisht se takimi i paraparë në Paris të shfrytëzohet nga palët për t’iu kthyer çështjeve substanciale që ndikojnë në jetën e njerëzve”, thuhet në raport.

Tanin ka folur rreth aksionit të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku u arrestuan dy pjesëtarë të UNMIK-ut, një rus dhe një pjesëtar lokal, pasi penguan policinë në kryerjen e detyrave. Duke folur rreth shpalljes persona non-grata të pjesëtarit të UNMIK-ut, Tanin ka hënë se një gjë e tillë nuk vlen për pjesëtarët e misionit të OKB-së.

Në fjalën e tij, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar sërish Prishtinën zyrtare për mos implementim të marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë formimin e asociacionit të komunave serbe. Ndërsa, aksionin e policisë në veri kundër krimit të organizuar, e ka quajtur ‘akt të papranueshëm me qëllim të frikësimit të serbëve në Kosovë’.

“Deklarata e Thaçit na bëjnë të pyesim se çfarë kemi bërë deri më tash. Pyetja është a ka qenë dialog ky në fakt. Serbia ka kërkuar dialogun, por ky është ofendim edhe për bashkësinë ndërkombëtare se nuk janë implementuar marrëveshjet. Si partner i përgjegjshëm Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet, por përfaqësuesit e Prishtinës kanë thënë se nuk do ta zbatojnë shumë qartë dhe kanë kërcënuar BE-ë duke thënë se do të bashkohen me Shqipërinë dhe t’i aneksojnë edhe tri komuna në Serbi. Kush mund të na bindë se Prishtina nuk do të sillet në të njëjtën mënyrë edhe në të ardhmen. Tash vijnë edhe kërcënimet e kryeministrit të Shqipërisë për bashkim me Kosovën”, tha Daçiq.

Ai ka folur edhe rreth aksionit të policisë në veri të Kosovës, pasi sipas tij ‘përdorimi i tepruar i forcës policore ishte me qëllim të frikësimit të serbëve në Kosovë, dhe se ky akt i papranueshëm nëse nuk ndëshkohet, popullata serbe në Kosovë do të jetë e frikësuar”.

“Edhe anëtarët e UNMIK-ut nuk janë më të sigurt në Kosovë kur pjesëtarët e tij janë të padëshiruar nëse nuk i shkojnë përshtati Prishtinës. Pa kurrfarë trupi, Prishtina i ka ofruar misionit të rishikojë prezencën e vet në veri. Ne jemi shumë larg nga situata stabile në Kosovë. Rrezikshmëria e situatës mund të jetë e kushtueshme dhe se zhvillimet e fundit tregojnë se askush nuk mund ta marrë përgjegjësinë e këtij rreziku”, u shpreh ai.

Daçiq tha se “Prishtina po planifikon një sulm në veri” dhe kërkoi që “kjo të parandalohet për të mos u shkaktuar një gjakderdhje e re”.

Ndërsa e menjëhershme ishte përgjigja e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Ajo ka thënë se i janë mirënjohës UNMIK-ut për kontributin, por nuk shohin më arsye ta vazhdojë misionin.

“Mekanizmat e sigurisë dhe KFOR-i e garantojë në sigurinë e popullit tonë. A mund dikush në këtë sallë të më tregoj se cila është puna e UNMIK-ut në Kosovë. Resurset e këtij misioni mund të shfrytëzohen shumë më mirë diku tjetër”, ka thënë ajo.

Në këtë mbledhje, ajo ka përmendur edhe operacionin e Policisë në veri të vendit, duke thënë se Policia ka intervenuar për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

“ Policia e Kosovës është një organizatë që vepron me standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit. Ajo ka dëshmuar se është e gatshme të bashkëpunoj në luftën kundër kriminalitetit. Policia e Kosovës ka organizuar një operacion me sukses që kishte për qëllim luftimin e korrupsionit në disa vende, dhe operacioni ka ardhur pas hetimeve disa muajshe. Janë bastisur 12 lokacione, janë arrestuar 19 policë. Ata janë shtetas të Kosovës. Policia e Kosovës nuk është ballafaquar me rezistencë gjatë zbatimit të planit, me një përjashtim ku në Zubin Potok, ku policët u ballafaquan me rezistencë të armatosur, me të shtëna me armë dhe me psotblloqe të vendosura në rrugë”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se janë arrestuar disa civilë për këtë.

“Në mesin e tyre ka qenë një diplomat i komunitetit Rus, Mikhail Krasnoshchenkov. Ai ka përdorur automjetin zyrtar të Kombeve të Bashkuara me targa të OKB-së për të ndaluar aksionin. Policia gjatë hetimeve ka gjetur një motosharrë në automjetin zyrtar, për të prerë drurë që t’i vënë si barrikada. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe ka refuzuar të tregoj dokumentet identifikuese. Pas kësaj Policia e Kosovës ka vazhduar me arrestimin e tij, ku është dërguar në stacion policor dhe është mbajtur në mbajtje. Madje i është dhënë trajtimi mjekësor. Pra asgjë serioze”, ka thënë ajo.

Sipas saj Kosova ka qenë nikoqire e një numri shumë të madh diplomatësh të huaj.

“Asnjëherë nuk ka pasur të vërteta që Policia e Kosovës shënjestron diplomatët e huaj. Diplomati rus, Mikhail Krasnoshchenkov u bë me dëshirë pengesë apo mburojë e bandave kriminale. Çka do të ndodhte nëse njëri nga ne këtu do të pengonte një operacion policor këtu, apo në Moskë, apo në Berlin, ose kudo në botë. Qeveria e Kosovës plotësisht ka respektuar legjislacionin ndërkombëtar që rregullon statusin e diplomatëve, kjo nuk ka të bëjë fare me UNMIK-un. A duhet ne të kuptojmë që mandati i OKB-së është zgjeruar për të përfshirë edhe pengimin e zbatuesve të ligjit në mandatin e tyre. Një anëtarë i misionit të OKB-së në Kosovë, vendos jetën e zyrtarëve tonë në rrezik. Kërkojmë hetim të OKB-së me këtë sjellje të paprecedent”, ka thënë ajo.

Çitaku ka përmendur edhe deklaratën e e kryeministres serbe, për kosovarët që kishte thënë se janë njerëz të ardhur nga mali. Ajo ka thënë se do të donte t’i dëgjonte edhe në OKB këto deklarata.

“Do të dëshiroja t’i dëgjoja ata që t’i përsërisin këto deklarata për burrat e gratë e Kosovës që na bëjnë krenarë në art, sport e fusha tjera. Po ashtu para familjeve të martirëve që bënë sakrificën e fundit për lirinë. Fjalët që fliten jashtë dhe mendimet brenda për popullin e Kosovës, është se ne kurrë nuk do të rreshtohemi nga Serbia. Kjo dhomë nuk do të shpërqendrohet nga nxitësit e urrejtjes. Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalojë rrugëtimin e saj për paqe me fqinjët tanë, duke përfshirë Serbinë. Ejani vizitojeni Kosovën dhe shihni me sytë tuaj përparimin që kemi bërë. Shihni bjeshkët tona për të cilët ne jemi krenar nga vijmë”, ka thënë ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Cohen, në këtë mbledhje ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut.

“Duhet të hiqen pengesat dhe rikthimi menjëherë në dialog. Kjo do të thotë heqja e tarifës mbi produktet serbe dhe të mos ketë më provokime. Pavarësia e Kosovës është realitet, të dyja palët duhet të ecin në rrugën e tyre evropiane. Duhet të angazhohemi në përforcimin e ligjit, në luftim të kontrabandimit dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Cohen ka përmendur edhe operacionin policor në Kosovë, dhe pengesat e vëna nga diplomati rus.

“Operacioni policor më 28 maj ka ndodhur në shumë vende të Kosovës. Është dëshpëruese që policët e Kosovës janë përballur me barrikada dhe janë plagosur. Përfshirja e personelit të UNMIK-ut dhe vetura është brengosëse. Hetimi i pas operacionit është me rëndësi të prezantojë fakte. Pengimi i një ushtrimi të ligjshëm nuk është në interes të nejrzve në Kosovë. Këto ngjarje tregojnë se palët duhet t’i rikthehen menjëherë dialogut dy vendet”, ka thënë ai.

Kurse zëvendës ambasadori gjerman në OKB, Jürgen Schulz, ka kërkuar nga Kosova ta heq tarifën për produktet e Serbisë dhe Bosnjës. Ai po ashtu i ka bërë thirrje Serbisë të ndalojë thirrjet për mosnjohjen e Kosovës.

“Ftojmë Kosovën të heq tarifën ndaj produkteve të BeH dhe Serbisë, sepse është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s. Po ashtu bëjmë thirrje tek Serbia që të ndaloj thirrjet për mosnjohjen e Kosovës. Stabiliteti për të dyja vendet e regjionit është në interes të të gjithëve. Ndarjet në vija etnike nuk kontribuojnë asgjë”, ka thënë ai.

Lidhur me misionin e UNMIK-ut, ai theksoi se duhet të rishikohet.

“Ndërsa kërkojmë të bëhet rishikim strategjik i misionit të UNMIK-ut. Misioni duhet t’i përshtatet mjedisit të ri në Kosovë. Është koha për ndryshim, pasi që institucionet e Kosovës kanë marrë në duar rolin e UNMIK-ut”, ka thënë ai.

Schulz i është kundërvu përfaqësuesit të Federatës ruse për ato që tha ai për vendet që e mbështetin Kosovën.

“Dua të them se ato që kanë ndodhur në historinë e konfliktit në vitin 1998 dhe 199, janë një histori fatkeqe dhe këto nuk i ndihmojnë askujt. Nuk dua të ulem në atë nivel dhe përmbahem në komentimet e mëtejshme”, tha ai.

Ndërsa ambasadori i Rusisë në OKB akuzoi ambasadoren e Kosovës, Vlora Çitaku, për gënjeshtra për të justifikuar veprimin e policisë në veri.

“Veprimi i paligjshëm është kaq i qartë. Policia e Kosovës ka kryer një pushtim të veriut të Kosovës. Zyrtari rus në misionin e OKB-së u rrah dhe Çitaku na ofroi një version të ngjarjes që është në kundërshtim me logjikën. Madje, ajo nuk e tha saktë emrin e tij”, tha diplomati rus.

Ai po ashtu foli për miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, duke thënë se është ‘bërë me qëllim të shpërqendrimit të problemeve’, derisa u shpreh kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tij, është në kundërshtim me rezolutën 1244. Diplomati rus tha po ashtu se nuk ka alternativë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesja e Francës në seancën e sotme të KS të OKB-së i bëri thirrje Prishtinës të heqë taksat ndaj mallrave serbe dhe kërkoi nga të gjitha palët të përmbahen nga ngritja e tensioneve duke thënë se situata e tanishme nuk është e qëndrueshme.

Duke folur për operacionin e Policisë së Kosovës në veri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, diplomatja franceze theksoi se Franca mbështet luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke respektuar sundimin e ligjit dhe kontekstin lokal.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB përshëndeti përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për të organizuar një takim për zgjidhjen e problemit dhe ftoi përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur një zgjidhje dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Ai gjithashtu mirëpriti përpjekjet e Prishtinës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe përpjekjet e UNMIK-ut për personat e pagjetur.

Zëvendës ambasadori kinez në OKB, Wu Haitao, tha se Kina është e shqetësuar në lidhje me pengimin e punës së misionit të OKB-së në Kosovë dhe se arrestimi i pjesëtarit rus të UNMIK-ut ‘është i papranueshëm’.

Sipas tij, mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve është në kuadrin e Rezolutës 1244, duke theksuar se është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndihmojë të dy palët të arrijnë një marrëveshje.

E sipas kryesuesit të seancës së KS të OKB-së nga Kuvajti, duhet ndjekur me brengosje rritjen e tensioneve Prishtinë-Beograd dhe ftoi palët të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe veprimet provokuese, për t’i hapur rrugën drejt një arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Mirëpo pas përfundimit të mbledhjes ka pasur polemika të ashpra në mes ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku dhe shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Ndërsa, ky i fundit, duke parë se gënjeshtrat e tij nuk po shiten më, ka sulmuar verbalisht dhe ka fyer ambasadoren Çitaku.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, e ka shfrytëzuar edhe këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit për të bërë akuza e shpifje në drejtim të Kosovës, veçmas lidhur me aksionin policor në veri të Kosovës kundër zyrtarëve policorë të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e cila ishte e pranishme në mbledhjen e KS të OKB, ka sqaruar për Telegrafin ngjarjen.

Ajo tregoi se ambasadorja Çitaku gjatë fjalimit të saj tha se “Kosova nuk është produkt i secesionit prej Serbisë por produkt i dekolonizimit prej saj”.

“Daçiqi nisi menjëherë me fyerje e fjalë të rënda duke thënë se ajo [Çitaku] po gënjen dhe se nuk është e vërtetë”, tha Sahatqija, për Telegrafin.

Ndërsa pas përfundimit të kësaj mbledhje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka quajtur teatër total seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook e ka quajtur të papranueshëm raportin e shefit të UNMIK-ut në mbledhjen e sotme të KS të OKB. Ndërsa, e ka dënuar paraqitjen e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili sipas Pacollit, është shërbyer me gënjeshtra dhe falsifikime të turpshme.

“Takimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën janë të vjetruara dhe krejtësisht të panevojshme dhe vetëm për të bërë të lumtur disa zyrtarë në OKB, kinse ata bëjnë diçka. Teater total”, ka shkruar ai.

Po ashtu edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të shefit të UNMIK’ut në Kosovë, Zahir Tanin, i cili tha se zyrtari rus është keqtrajtuar gjatë aksionit të policisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Hoxhaj e ka parë të çuditshëm faktin se 20 vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, e cila solli paqen në Kosovë, përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Tanin do ta keqpërdorte në këtë mënyrë Këshillin e Sigurimit duke përhapur lajme të rrejshme.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter ka thënë se e vërteta është që një zyrtar i UNMIK-ut ka ndërhyrë direkt duke penguar aksionin e policisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veri të vendit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori