LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka ishte ndryshe, derisa “një ditë, një biznesmen zbriti nga qielli”: Rrëfimi për fermën e cila u krijua me shumë sukses në Angola, gjatë pandemisë

Gjithçka ishte ndryshe, derisa “një ditë, një biznesmen zbriti nga qielli”: Rrëfimi për fermën e cila u krijua me shumë sukses në Angola, gjatë pandemisë

Pandemia globale ka përmbysur shumë ekonomi, por, në Angolë, sektori i bujqësisë së vendit po lulëzon.

Atje ka ndodhur krijimi i fermave, me ambicie për eksport të huaj – në vetëm disa muaj – pavarësisht sfidës shëndetësore.


Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një zonë e cila vetëm një vit më parë, kjo zonë e gjerë toke në provincën Kwanza Sul, ishte e braktisur.

Dhe ishte firma bujqësore angoleze Novagrolider ajo që njohu potencialin e kësaj zone me 10 mijë hektarë – me një mikroklimë tërheqëse dhe toka pjellore të pasura.

“Kjo tokë këtu është një nga më të mirat që kam parë ndonjëherë”, ka thënë João Macedo, drejtor ekzekutiv i Novagrolider. “Pasi bëra (një) analizë, pashë se nuk kishte më mirë në Angola”.

Siç bëhet e ditur, Novagrolider investoi dhe rriti një fermë të gatshme për korrje brenda gjashtë muajve. Dhe e gjithë kjo gjatë pandemisë globale.

“Problemi COVID-19 ndikoi në disa gjëra, por jo në një mënyrë që të na ndalojë të kryejmë atë që kemi pritur me padurim të bëjmë”, tha Macedo. “Ne tashmë kemi korrur pjepra, shalqi, kunguj, domate, etj. Pas një kohe, ne gjithashtu do të fillojmë të korrim mango dhe rrush. Ne do të bëjmë shumë më tepër këtu”.

Përfiton komuniteti lokal

Bujqësia komerciale është një sektor në rritje, pasi Angola diversifikon ekonominë e saj ndërsa kjo fermë e re ka qenë e shumëpritur nga komuniteti lokal.

Zefa Marimbi, administratori komunal i Capolo, Porto Amboim tha: “Më shumë se 12 sipërmarrës erdhën këtu. Ata gjithmonë iknin. Problemi ishte qasja. Ata panë rrugën tonë dhe u dorëzuan. Derisa një ditë, një biznesmen ‘ra nga qielli’. Ai tha: ‘Unë do ta bëj rrugën’”.

Ai biznesmen ishte João, bosi i Novagrolider i cili ndërtoi këtë rrugë të re 25 kilometra me investimin privat të kompanisë së tij.

“Njerëzit u zgjuan dhe më në fund e kuptuan që Porto Amboim ekziston për shkak të kompanisë së re Novagrolider”, thotë Marimbi. “Të rinjtë tashmë kanë punë tani. Komuniteti tashmë fiton diçka. Ne kemi zona të thata dhe ky biznes ka bërë shumë përpjekje për t’i sjellë ujë kësaj popullate”.

Kompania në zgjerim

Në fakt, ferma tashmë punëson rreth 400 njerëz dhe farat po mbillen për t’u zgjeruar edhe më tej, përcjell Telegrafi.

Ka një potencial të madh këtu, sipas menaxherit të prodhimit të projektit – i cili ka punuar në rajonin më të madh eksportues të frutave në Brazil.

Aldenicio Lino, Menaxher i Prodhimit, tha: “Sot, frutat e Angolës janë ende të panjohur. Por, në të ardhmen e afërt, Angola do të fillojë të rritet sepse frytet e saj janë të mirë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo që mungon është një histori”.

Por kjo fermë ka ambicie të mëdha për ta bërë botën të provojë prodhimin e saj.

Kompania që qëndron pas saj tashmë furnizon Portugalinë dhe Spanjën dhe po synon tregje të tilla si Namibia, Italia dhe Polonia për të rritur eksportet e saj.

Lino shtoi, “Kush ha fruta nga Angola fillon të dashurohet në shijen e tyre. Ne kemi marrë reagime përmes rrjeteve të mediave sociale, Facebook dhe Instagram. Njerëzit dërgojnë një fotografi në Whatsapp për të thënë se blenë një copë frutë nga Angola dhe është një frutë i bukur”. /Telegrafi/