LAJMI I FUNDIT:

Gjermanisë i bie prodhimi industrial

Gjermanisë i bie prodhimi industrial

Prodhimi industrial në Gjermani rezultoi në rënien më të madhe që prej 2014-ës në muaji Korrik, duke treguar se ekonomia numër një e Europës mund të shkojë drejt ngadalësimit.

Të dhëna, që vijnë pas një rritje të dobët të porosive për mallrat “made in Germany”, shton shqetësimet se ekonomia gjermane mund të humbasë vrull, pasi kërkesa e dobët nga vendet në zhvillim si Kina dhe pasojat e vendimit të Britanisë për të dalë nga Europa, po dëmtojnë eksportet.


“Kompanitë në sektorin industrial janë ende në një fazë të pritjes si pasojë e një ngërçi në tregun e eksporteve globale”, deklaron Ministria e Ekonomisë në Gjermani. Megjithatë, ekonomistët thonë se nuk duhet lidhur ngadalësimi i prodhimit industrial me një faktor të vetëm, pasi tendenca ka nisur përpara se Britania të dilte nga Europa.

Sipas tyre, industria gjermane gjendet ende në vështirësi nga aktiviteti i dobët në Kinë, partnerët e Eurozonës si dhe nga një zhvendosje e përgjithshme e aktivitetit nga prodhimi në shërbime.

Prodhimi industrial ra me 1.5% për muajin Korrik, shumë poshtë parashikimeve të Reuters prej një rritjeje me 0.2%. Një rritje me 1.8% në sektorin e ndërtimit dhe një rritje me 2.6% në prodhimin e energjisë, nuk ishin mjaftueshëm që të kompensonin për një rënie me 2.3% në prodhimin e fabrikave. /Telegrafi/