LAJMI I FUNDIT:

Gjermania propozon që Lukashenko të futet në një listë të re sanksionesh nga BE-ja

Gjermania propozon që Lukashenko të futet në një listë të re sanksionesh nga BE-ja

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha të hënën se presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, duhet të futet në një listë të re sanksionesh nga Bashkimi Evropian.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Maas e dha këtë deklaratë para se të takohej me homologët e tij evropianë në Luksemburg.


“Ne duhet ta pranojmë se nuk kemi bërë diçka progres që nga takimi ynë i fundit. Regjimi i Lukashenkos vazhdon të ushtrojë dhunë. Ne jemi duke e parë që në mesin e arrestimeve gjatë protestave janë edhe disa demonstrues paqësorë”, u shpreh ai.

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko

“Unë propozova që të formojmë një paketë tjetër sanksionesh, dhe Lukashenko duhet të jetë i përfshirë në këtë listë”, tha ministri gjerman.

Ndryshe për më shumë se dy muaj, Minsku është vërshuar nga protestat kundër rizgjedhjes së Lukashenkos.

Opozitarët pretendojnë se presidenti aktual i ka manipuluar rezultatet e zgjedhjeve, me këtë rast ata kërkojnë zgjedhje të reja. /Telegrafi/