LAJMI I FUNDIT:

Gjergji: LDK është e kapur nga Isa Mustafa

Gjergji: LDK është e kapur nga Isa Mustafa

Profesori Rexhep Gjergji ka shprehur bindjen se, aktualisht, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i saj po e shfrytëzojnë këtë parti vetëm si firmë piramidale për përfitime personale, materiale e politike.

Për Isa Mustafën ka thënë ta ketë kapur LDK-në dhe se para interesit të vet nuk është duke parë asnjë interes tjetër.


Gjergji është një nga themeluesit e LDK-së dhe për shumë vjet ka qenë pjesë e Kryesisë së këtij subjekti politik. Vazhdimisht ka qenë zë kritik i zhvillimeve që ia kanë dhënë tatëpjetën kësaj partie. Ka ngritur zërin edhe tash, kur LDK-ja ia mundësoi Hashim Thaçit që të ngjitet në majë të pushtetit.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Gjergji ka theksuar se Mustafa dhe disa të tjerë rrotull tij, janë shartime krejt të panatyrshme në LDK. Ai ka thënë të ketë edhe të tillë që tani shkojnë të përkulen te varri i liderit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova, ndërkohë që kur ishte koha ia kishin ndalur mjetet për bukë, e edhe financat për funksionim të Zyrës dhe shërbimeve shtetërore.

Tek ka folur për bashkëqeverisjen e LDK-së me PDK-në, ka thënë se me këtë lidership të dobët që LDK-ja ka sot, pozicioni i saj në qeveri është dekorativ dhe fiktiv.

“LDK-ja në qeverisje mbetet në hijen PDK-së dhe liderëve të saj të fortë. Qeveria formalisht zbaton programin e strukturave joformale të PDK-së, për të cilat z. Mustafa thoshte se e kanë kapur shtetin”, ka thënë Gjergji.

“E keqja e gjithë kësaj është se Kosova po dëmtohet pariparueshëm dhe që LDK-ja po bëhet hisedar i plotë i këtij dëmtimi”, thotë Gjergji.