LAJMI I FUNDIT:

“Gjergj Fishta në burg”

“Gjergj Fishta në burg”

Nga: Kastriot Dervishi

Si pasojë e formimit të ulët kulturor të operativëve të Sigurimit të Shtetit, brenda dosjeve që kanë arritur në ditët tona, shpeshherë mund të gjesh informacione e identitete të gabuara personash.


Nuk kanë qenë korrektë as duke kopjuar të njëjtat tekste që përpilonin vetë.

Sjell një rast krahasimor nga dosja e formulare nr.2383 (me numër themeltar nr.2885) në ngarkim të Eqrem Çabejt. Në fletët nr.6 dhe 23 të saj, në relacione shpjeguese të viteve 1947 dhe 1953 është ngatërruar identiteti i Gjergj Ashtës me Gjergj Fishtën.

Në foton bashkëlidhur shihen ndryshimet nga njëri relacion te tjetri, të cilat sipas rasteve kopjoheshin.

Në vitin 1947 pretendohet se At Gjergj Fishta ishte mik i Çabejt dhe ndodhej në burg. Ky gabim është ndrequr në relacionin e vitit 1953, vetëm për emrin, por jo për kohën e qëndrimit në burg të personit që ishte Gjergj Ashta. Nga ky rast dhe të dhënat e ngjashme, kur përmenden persona të tretë, asnjëherë nuk duhet të dilet në përfundime të shpejta, pa arritur prova të plota e të sigurta.