LAJMI I FUNDIT:

Gjëra që nuk rregullohen më …

Gjëra që nuk rregullohen më …
Ilustrim

Rrëfenjë anonime
Përktheu: Bajram Karabolli

Një vajzë, në një sallë të madhe në aeroport, po priste orën e fluturimit. Duke e ditur se do të priste shumë, për të vrarë kohën, bleu një libër dhe një pako biskota.


U ul në një stol në sallën e pritjes për t´u çlodhur dhe për të lexuar në qetësi. Në krah të saj, ku ishte edhe pakoja me biskota, qe ulur një burrë i cili po lexonte një revistë. Kur ajo mori biskotën e parë, edhe ai zgjati dorën dhe mori një biskotë nga e njëjta pako. Asaj i erdhi inat, por u përmbajt e nuk i tha gjë. Veç mendoi: “Ky i pafytyrë e meriton një shpullë që të mos i shkojë kurrë në mendje të fus duart në gjërat e të tjerëve, por unë s´e bëj dot”. Dhe, kështu vazhdoi: sa herë që ajo zgjaste dorën për të marrë një biskotë, edhe burri i huaj zgjaste dorën e merrte një biskotë, duke e nervozuar vajzën gjithmonë e më tepër. Kur mbeti vetëm një biskotë, ajo mendoi: “Po tani, vallë ç´do të bëjë ky qylaxhi i pacipë”?! Dhe, burri i panjohur, pasi e ndau biskotën e fundit në dy pjesë, gjysmën ia dha vajzës. “Ah, ky është kulmi!”, mendoi vajza, gati e tërbuar nga zemërimi. Mbylli librin dhe pa i thënë asgjë, mori gjërat e saj dhe u largua. Kishte ardhur ora e nisjes.

Kur u ul te vendi i saj në avion, hapi çantën për të kërkuar diçka. Ngeli e habitur kur pa se pakoja e saj me biskota ndodhej e paprekur në çantë. I erdhi shumë turp, kur pa se sa e gabuar kishte qenë.

Pra, e vërteta ishte se kishte qenë pikërisht ajo që i kishte futur duart në gjërat e dikujt tjetër, ndërsa ai burri i panjohur, aq i qetë dhe aq bujar, pa kurrfarë indinjate dhe nervozizmi paskësh pranuar të ndante me të pakon e tij me biskota. Tani ajo nuk kishte mundësi për t´i kërkuar falje e për ta falënderuar.

A na ndodh kështu në jetë që të hamë biskotat e të tjerëve, pa qenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë?

Nuk mund të arrijmë në një përfundim të saktë. Ndoshta gjërat nuk shkojnë apo nuk janë gjithmonë siç i mendojmë ne. Asnjëherë nuk duhet të mendojmë, e aq më keq të paragjykojmë, se dimë gjithçka për personat që na rrethojnë.

Në jetë janë katër gjëra që nuk mund t´i rregullojmë më pasi kanë ndodhur:

– Një gur, pasi e kemi hedhur drejt një objektivi.

– Një fjalë, pasi e kemi lëshuar drejt dikujt.

– Një mundësi, pasi e kemi humbur së realizuari.

– Kohën, pasi ajo ka ikur.

Në trend Kultura

Më shumë
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
NË MUNÇ

NË MUNÇ

Poezi
NËSE

NËSE

Poezi
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjala+
TI MË GJETE

TI MË GJETE

Poezi
PO NDIHEM NË TË NJËJTËN MËNYRË

PO NDIHEM NË TË NJËJTËN MËNYRË

Poezi
Kalo në kategori