LAJMI I FUNDIT:

Gjeologët e Kosovës dhe Shqipërisë me marrëveshje bashkëpunimi

Gjeologët e Kosovës dhe Shqipërisë me marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e gjeologjisë me qëllim të bashkëpunimit dhe aplikimit në projekte dhe aktivitete të ndryshme evropiane.

Zëvendësministrja e MZHE-së, Besa Zogaj- Gashi, tha se kjo marrëveshje është e rëndësishme pasi që duke filluar nga sot, gjeologët e Kosovës dhe Shqipërisë mund të aplikojnë me projekte të përbashkëta si pjesë e shërbimit gjeologjik evropian.


“Që nga sot këto dy institucione tona të rëndësishme mund të aplikojnë për projekte të përbashkëta, projekte hulumtuese, projekte shkencore, projekte në nivel rajonal, në nivel edhe më gjerë, duke e pas parasysh që këto dy institucione tona janë edhe pjesë e shërbimit gjeologjik të Evropës. Këto dy institucione tona që nga sot pra mund të aplikojnë edhe për konferenca, ekspozita si dhe shkëmbimin e përvojave dhe ngritje të kapaciteteve që është një ndër prioriteteve tona dhe të Qeverisë”, tha ajo.

Kurse, zëvendësministri i Shqipërisë, Musa Bedriu, tha se me këtë rast mund të bashkëpunohet duke përzgjedhur profesorët dhe specialistët më të mirë të gjeologjisë që të kryejnë projekte shkencore në mes të dy vendeve.

“Sigurisht që bashkëpunimi në fusha të ndryshme në mes të dy qeverive tona nuk do të ishte i plotësuar pa bashkëpunimin edhe midis dy shërbimeve tona gjeologjike, pra midis shërbimit të Kosovës dhe shërbimit të Shqipërisë. Pavarësisht se ne tashmë mund të themi se jemi një në kuptimin e burimeve minerare që kanë dy vendet tona, jemi një në drejtim të marrëdhënieve ose studimeve që kryejnë dy shërbimet tona gjeologjike, shërbimi i Kosovës dhe shërbimi i Shqipërisë, specialistët dhe profesorët tanë më të mirë të shërbimit gjeologjik shqiptar por edhe të shërbimit gjeologjik të Kosovës, me projektet e tyre të zhvillimit që do të pasojnë pas këtij nënshkrimit të memorandumi të mirëkuptimit, sigurisht se do ta qojnë përpara punën studimore të shërbimit gjeologjik të dy vendeve tona”, tha ai.

Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndara me kufi por jo edhe me zona minerare.
Andaj, ai shtoi s enë këtë drejtim mund të bashkëpunohet shumë. “Është tepër i rëndësishëm një fakt që po e diskutojmë sot, bashkëpunimi jo thjeshtë i dy shërbimeve gjeologjike në të dy anët e kufirit por intensifikimi i kësaj pune. Idetë e dy drejtuesve të shërbimit gjeologjik para katër muajve japin rezultatin e përmbledhur që e kemi sot. Ashtu siç e tha edhe Musa Bedriu, ka një karakteristikë shumë të veçantë, ne jemi ndarë në kufi, por nuk jemi ndarë në zona minerare, nga të dyja anët e kufirit Shqipëri dhe Kosovë. Pikërisht në zonën duke filluar në zonën e Gjakovës, në Prizren dhe deri në Dragash, në të gjithë zonë e kufirit, edhe në Vërmicë është zona ku ka minerare të vlefshme si për Shqipërinë dhe Kosovën”, tha ai.

Me këtë rast, delegacioni nga Shqipëria e bëri publik edhe projektin e parë në fushën e gjeologjisë i cili do të jenë në bashkëpunim me Kosovën. /Telegrafi/