LAJMI I FUNDIT:

Gjenerali i ushtrisë serbe nga Haga: Jam fajtor për gjenocidin, kam kryer krime të pafalshme

Gjenerali i ushtrisë serbe nga Haga: Jam fajtor për gjenocidin, kam kryer krime të pafalshme

Ish-gjenerali i ushtrisë serbe të Bosnje-Hercegovinës, Radislav Krstiq, i cili u dënua me 35 vjet burg nga Tribunali i Hagës për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, kërkoi që gjykata e Kombeve të Bashkuara të publikojë letrën në të cilën ai pranon plotësisht përgjegjësinë për krimet e kryera dhe shprehet se është penduar.

Në faqen e internetit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT), pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), u publikua një parashtresë në të cilën avokati pro bono i Krstiqit, Vladimir Petroviq, paraqiti një kërkesë për lirimin e parakohshëm të klientit të tij, duke bashkëngjitur gjithashtu kërkesën e Krstiqit drejtuar gjykatës për ta bërë publike letrën e pendimit.

Pas vuajtjes së 26 viteve të dënimit, Krstiq fillimisht kërkoi lirimin e parakohshëm në vitin 2022, por refuzoi MICT, shkruan index.hr.


Një kërkesë të tillë ai e ka paraqitur sërish në muajin janar, duke e justifikuar me shëndetin e ligshtë, por edhe me gatishmërinë për të pranuar plotësisht përgjegjësinë për krimet për të cilat është dënuar.

Në një kërkesë të re drejtuar gjykatës, avokati thekson se MICT tani duhet ta shqyrtojë sërish atë kërkesë, sidomos sepse Krstiq është i gatshëm të pranojë fajin dhe sinqeritetin e këtij pranimi dëshiron ta vërtetojë duke e bërë publike letrën në të cilën ai e shpjegon këtë.

Kjo letër iu dërgua MICT-it nga Krstiq më 18 qershor dhe ajo buron nga nxitja e drejtpërdrejtë prej rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në maj, dhe në atë dokument përmendet edhe emri i tij midis atyre që janë përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë. Krstiq shkroi në gjykatë se do të votonte për atë rezolutë nëse do të kishte të drejtën e votës.

“Emri im përmendet sepse kam ndihmuar dhe mbështetur gjenocidin, emri im përmendet sepse kam kryer një krim të paimagjinueshëm dhe të pafalshëm”, thuhet në letrën e Krstiqit, i cili në vitin 1995 ishte komandant i të ashtuquajturit Korpusi i Drinës i ushtrisë serbe të Bosnjës, anëtarët e së cilës morën pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e të burgosurve nga Srebrenica.

Krstiq thotë se çdo ditë kujton të pafajshmit e vrarë dhe dëshiron që fjalët e tij të nxisin të tjerët që të mos lejojnë kurrë përsëritjen e krimeve të ngjashme.

Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse lirohet para kohe, do të shkonte në Potoçare, ku janë varrosur mijëra viktima të gjenocidit, për t’u bërë homazhe dhe për të kërkuar falje nga familjet e tyre.

Ndryshe, Forcat e Ushtrisë së Republikës Serbe vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8000 burra dhe djem boshnjakë.

Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Mohamed al Bashir emërohet kryeministër i përkohshëm i Sirisë, rebelët urdhërojnë luftëtarët të tërhiqen nga qytetet

Mohamed al Bashir emërohet kryeministër i përkohshëm i Sirisë, rebelët urdhërojnë luftëtarët të tërhiqen nga qytetet

Azia
Mohamed al Bashir emërohet kryeministër i përkohshëm: Të gjitha zhvillimet e fundit në Siri, MINUTË PAS MINUTE

Mohamed al Bashir emërohet kryeministër i përkohshëm: Të gjitha zhvillimet e fundit në Siri, MINUTË PAS MINUTE

Marina izraelite shkatërron flotën siriane, paralajmëron edhe grupin rebel

Marina izraelite shkatërron flotën siriane, paralajmëron edhe grupin rebel

Azia
Shtatëdhjetë për qind e ukrainasve mbështesin modelin e Gjermanisë Perëndimore për anëtarësimin në NATO

Shtatëdhjetë për qind e ukrainasve mbështesin modelin e Gjermanisë Perëndimore për anëtarësimin në NATO

Evropa
Izraeli ka kryer më shumë se 300 sulme ajrore në Siri që nga rënia e Assadit

Izraeli ka kryer më shumë se 300 sulme ajrore në Siri që nga rënia e Assadit

Azia
Tanket izraelite vetëm 20 kilometra larg Damaskut

Tanket izraelite vetëm 20 kilometra larg Damaskut

Azia
Kalo në kategori