eksperti-banner

Pranë digës së Liqenit të Badovcit, një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm për Prishtinën dhe disa komuna të tjera, situata me ndotjen nga mbeturinat është rikthyer në nivele shqetësuese.

Përmes një reagimi publik, një organizatë e angazhuar në mbrojtjen e mjedisit ka publikuar pamje nga zona, duke theksuar se ajo është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash, pavarësisht aksioneve të mëparshme të pastrimit.


Sipas reagimit, më 22 mars, në shënimin e Ditës Botërore të Ujit, ishte organizuar një aksion i gjerë pastrimi në këtë hapësirë, ku ishin mobilizuar vullnetarë, institucione, organizata, media dhe qytetarë.

"U larguan sasi të mëdha mbeturinash. Por sot, vetëm pak kohë më pas, gjendja është sërish alarmante", thuhet në reagim.

Tutje, organizata vlerëson se kjo situatë dëshmon se aksionet vullnetare nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemin e ndotjes.

"Kjo tregon qartë se problemi nuk zgjidhet vetëm me aksione vullnetare. Ne mund të pastrojmë, mund të mobilizojmë njerëz, mund të kthehemi përsëri e përsëri në terren, por pa masa konkrete nga institucionet përgjegjëse, ndotja do të vazhdojë të përsëritet", theksohet më tej.

Duke rikujtuar rëndësinë që ka Liqeni i Badovcit për furnizimin me ujë të pijshëm, organizata ka ngritur shqetësimin se ndotja e kësaj zone tejkalon aspektin mjedisor.

"Kjo nuk është vetëm ndotje e natyrës. Kjo është neglizhencë ndaj një burimi jetik të ujit", thuhet në reagim.

Përfaqësuesit e organizatës kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente, duke përfshirë kontroll më të madh në zonë, parandalimin e ndotjes, ndëshkimin e ndotësve dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

Ata kanë bërë të ditur se shumë shpejt do të organizojnë një aksion të ri pastrimi, por kanë nënvizuar se "vullnetarët nuk mund të jenë zëvendësim për përgjegjësinë institucionale".

Në fund, është bërë thirrje edhe për qytetarët që të tregojnë kujdes më të madh ndaj mjedisit.

"Mos e ndotni natyrën. Mos i hidhni mbeturinat pranë liqeneve, lumenjve dhe burimeve të ujit. Ajo që hidhet sot në natyrë, nesër kthehet si problem për të gjithë ne. Badovci duhet të mbrohet. Uji duhet të mbrohet. Përgjegjësia duhet të fillojë tani", përfundon reagimi. /Telegrafi/