Një tjetër rast i goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve është zbuluar në Durrës, ku policia ka arrestuar në flagrancë një 30-vjeçar dhe ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Operacioni i koduar “Banesa” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.


“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar ‘Banesa’, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi -E. K., 30 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, bazuar në informacionet e siguruara se ky shtetas posedonte një sasi lënde narkotike të cilën e kishte fshehur në një banesë të pabanuar afër banesës së tij, në lagjen nr. 8, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë shtetasin E. K., në momentin që ai po tentonte të merrte lëndën narkotike.

Lënda e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 8 kilogramë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia njofton tutje se po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /Telegrafi/