Gigi Hadid shkëlqen me fustanin e bardhë që përqafon trupin, frymëzuar nga Marilyn Monroe

Modelja mahniti në tapetin e kuq me një krijim elegant e plot shkëlqim, ndërsa frizura dhe detajet klasike e kthyen në yllin absolut të mbrëmjes
Një plejadë zonjash të famshme e madhështoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Breakthrough” në Los Angeles: diva filmi, ikona muzike, kampione sporti... Megjithatë, një fytyrë e njohur dhe e bukur nga bota e modës u veçua në mënyrë të posaçme, mahnitësja Gigi Hadid shkëlqeu me një krijim glamuroz të bardhë, duke kujtuar epokën e paharrueshme të Hollywood-it dhe hyjneshat e saj.
Meqë kohët e fundit e kemi parë nën dritat e reflektorëve vetëm në javë të zgjedhura mode, është e qartë pse paraqitja e saj në këtë ngjarje tërhoqi kaq shumë vëmendje. Edhe pse nuk është aktore, Gigi Hadid me këtë paraqitje sensacionale na ktheu në epokën e artë të ekranit dhe shkëlqimin klasik që mbetet i pavdekshëm, aq sa çdo rikthim i tij na lë pa frymë dhe zgjon nostalgji, transmeton Telegrafi.

Modelja e njohur mbërriti në Barker Hangar në Santa Monica me një fustan hijerëndë, kristal të bardhë, të shtëpisë së modës David Koma, një krijim skulpturor që dukej sikur shkrihej me linjat e saj perfekte. Fustani prej mëndafshi me prerje rreth qafës dhe elementin qendror, një brosh i madh i artë, i dha pamjes super elegante një notë të veçantë.
Në këtë paraqitje u përshtatën në mënyrë të përkryer sandalet e markës Andrea Wazen, bizhuteritë diskrete dhe frizura me onde të lehta. Revista Vogue veçoi sidomos buzëkuqin me efekt të zbutur, i cili këtij kombinimi, të cilin e quajtën hyjnor, i dha një nuancë të vjetër elegante dhe kujtoi një paraqitje të Marlene Dietrich nga vitet e saj më të mira.

Me pak fjalë, Gigi Hadid briloi në tapetin e kuq, duke lënë pothuajse në hije yjet e tjera të ngjarjes më glamuroze të fundjavës së kaluar, mes tyre Margot Robbie, Anne Hathaway, Salma Hayek, Maria Sharapova, Gal Gadot, Zoe Saldaña, Michelle Yeoh dhe Olivia Wilde. /Telegrafi/




















































