LAJMI I FUNDIT:

Gërkovska – Geer: Politikat kundër korrupsionit janë të përfshira në të gjithë kapitujt

Gërkovska – Geer: Politikat kundër korrupsionit janë të përfshira në të gjithë kapitujt

Të gjitha institucionet duhet seriozisht ta marrin parasysh Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe t’i përkushtohen përparimit të efikasitetit dhe punës së përgjegjshme, konkluduan në takimin e sotëm zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë Sllavica Gërkovska dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Geer.

Gërkovska më takim i ka shprehur falënderim ambasadorit Gir për mbështetjen që Komisioni Evropian ia jep shtetit tonë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


Ambasadori Geer, ndërkaq, ka theksuar se Komisioni Evropian i kushton vëmendje të veçantë politikave kundër korrupsionit, të cilat si fushë janë përfshirë pothuajse në të gjithë kapitujt e procesit të negociatave.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministrja Gërkovska informoi se merr masa për koordinim të rregullt me ​​të gjitha institucionet që janë të rëndësishme, jo vetëm në fushën e krijimit të politikave dhe masave kundër korrupsionit, por edhe në pjesën e implementimit të tyre me qëllim të përballjes efektive me korrupsionin.

Ajo theksoi se politika efikase kundër korrupsionit dhe përballja me korrupsionin dhe krimin e organizuar janë prioriteti kryesor i Qeverisë, por për të pasur masa të suksesshme që japin rezultate duhet të sigurohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar dhe përkushtim të plotë nga ana e të gjitha institucioneve.

Të dy bashkëbiseduesit, siç informojnë nga Kabineti i Gërkovskës, u përqendruan edhe në procesin e transformimit digjital të shoqërisë, i cili gjithashtu është i rëndësishëm edhe për përparimin e kapaciteteve të institucioneve në pikëpamje të shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve, por edhe në lidhje me masat efikase kundër korrupsionit.