LAJMI I FUNDIT:

George Galloway po përfiton nga dhimbja e Gazës, por nuk është i vetmi

George Galloway po përfiton nga dhimbja e Gazës, por nuk është i vetmi

Burimi: The Guardian (titulli origjinal: George Galloway stands accused of profiting from the pain of Gaza – and rightly so. But he is not the only one)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në ditët në vijim do të dëgjoni shumë llafe për George Gallowayn, shumë prej tyre negative dhe pothuajse që të gjitha të vërteta. Por, do të jetë edhe një akuzë ndaj anëtarit të ri nga Roçdejli – fitore po aq e madhe për një vend në Parlament, sa triumfi të cilin më shumë se një dekadë më parë e shënoi në Bredford Uest – që do të jetë e rreme dhe e padrejtë.


Nisjani me akuzat që do të ngrihen. Galloway paraqitet si njeri i së majtës – mjeti i tij i fundit quhet Partia e Punëtorëve të Britanisë. Por, e mbështeti partinë e Breksitit (tani Reforma) të Nigel Farageit më 2019 – si dyshe u shfaqën tok së bashku, gjatë fushatës së referendumit të vitit 2016, duke qeshur dhe buzëqeshur – dhe konservatorët në Skoci në vitin 2021. Nuk e keni lexuar gabim këtë fjali: George Galloway votoi për konservatorët, vetëm tre vjet më parë.

Të djathtët janë më rehat me Gallowayn sesa mund të prisni. Në Roçdejl e ka marrë miratimin e ngrohtë të Nick Griffinit, ish-udhëheqësit të Partisë Kombëtare Britanike. “George Galloway ia qëllon kur na mban jo vetëm jashtë luftërave sioniste”, shkroi Griffin. “Por, gjithashtu e kupton qëndrimin e britanikëve të bardhë, nga klasa punëtore, përkitazi me emigracionin”. Kur e pati mundësinë për ta refuzuar dje këtë mbështetje në programin TodayRadio 4, zëvendësi i Gallowayt – ish-deputeti Chris Williamson, i cili u pezullua nga Partia Laburiste e Jeremy Corbynit për komentet që bëri në lidhje me antisemitizmin – prerazi refuzoi. Ju gjithashtu mund t’i keni parë fotografitë e Gallowayit ku ashiqare shihet se është i afërt me Steve Bannonin – i cili dikur ishte toger i Trumpit dhe i cili aktualisht është shitës i teorive të konspiracionit në internet.

Të tjerët do t’jua kujtojnë historinë e punësimit të Gallowayt, dhe ato fakte do të jenë gjithashtu të vërteta. Shërbeu si prezantues që paguhej mirë në Press TV dhe Russia Today (RT), si zëdhënës i Teheranit, respektivisht Vladimir Putinit – nuk është befasi kur e kemi parasysh admirimin e tij për një varg të regjimeve tiranike. Në vitin 1994 qëndroi përpara Saddam Huseinit të Irakut, njeriut që kishte burgosur, torturuar dhe vrarë kaq shumë njerëz të vet, ndërsa deklaroi: “Zotëri, e çmoj guximin tuaj, forcën tuaj, palodhshmërinë tuaj”. Në vitin 2002 i tha kësaj gazete [The Guardian] se “zhdukja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe e jetës sime”. Kur rreth 1 300 sirianë u vranë nga armët kimike në periferinë e Damaskut, në Guta,  nuk e fajësoi – siç bënë shumica – Bashar al-Assadin të cilin prej kohësh e kishte lavdëruar për “dinjitetin” që ka, por përkundrazi e drejtoi gishtin drejt imagjinatës, nëse jo tek e pamundura – te  aleanca e al-Kaidës dhe … Izraelit. Nuk e dha asnjë provë, por kjo ishte “teoria” e tij.

Në të vërtetë, duke pasur parasysh vendosmërinë e tij për t’u paraqitur si mbrojtës i myslimanëve – një fushë që solli fitime të mëdha në Roçdejl – është e habitshme se sa shpesh ai rreshtohet pas atyre që vrasin, që gjymtojnë ose shtypin myslimanët, madje edhe në qindra-mijëra. Në vitin 2020, Galloway e përdori platformën e tij në RT për të hedhur poshtë provat e shumta të persekutimit nga Kina, të rreth një milion myslimanëve ujgurë: “Nuk ka kampe përqendrimi në Kinë”, tha ai, por “qendra riedukimi” për terroristët që njerëzisht kërkojnë të largohen nga rruga e ekstremizmit.

Pra, nuk duhet të ngatërrohet se është progresist. Dyshimet mbi këtë pyetje me siguri u lanë mënjanë në vitin 2012, kur e mbrojti Julian Assangen i cili më pash u përball me akuzat për përdhunim, duke njoftuar se çdo akuzë bëhet absurde nëse fillimisht kishte akt të seksit konsensual. Siç e tha në mënyrë të paharrueshme, “dua të them se jo të gjithë duhet të pyeten para futjes”. Nëse aktivistët kundër dhunës seksuale nuk e pëlqenin këtë, avokatët e LGBTQ+ në mënyrë të ngjashme zmbrapseshin nga disa linja që u shfaqën në literaturën zgjedhore të Gallowayt në Roçdejl. “Besoj në familje… Besoj te burrat dhe gratë. Zoti gjithçka krijoi në çift”.

I pëlqen të mburret se është armik i paepur i racizmit. Megjithatë, në vitin 2019 u pushua nga Talk Radio për shkak të një postimi në Twitter të cilin stacioni e konsideroi si antisemit. Pasi Tottenhami – një klub nga Londra veriore me shumë tifozë hebrenj – humbi në finalen e Ligës së Kampionëve, Galloway postoi: “Nuk ka flamuj të Izraelit në Kupë”! (Vini re ndryshimin e tonit në aludimin e tij të heshtur për Gjermaninë, pothuajse tronditës nga një njeri i cili prej kohësh ka dashur ta krahasojë Izraelin me nazistët – krahasim që në mënyrë specifike citohet në përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin.)

Me pak fjalë, janë të vërteta shumë nga ato që dëgjoni për Gallowayn nga kritikuesit e tij. Ku është, pra, gënjeshtra? Cila është akuza e pamerituar që u ngrit kundër tij?

Është pretendimi se ai është disi fajtor i veçantë për shfrytëzimin e dhimbjes së Gazës për përfitime politike. Mos më keqkuptoni, ai me siguri po e përdor atë agoni për përfitime personale. I vuri në shënjestër votuesit myslimanë të Roçdejlit, duke ua dërguar atyre një fletëpalosje ku nuk e përmendte rihapjen e maternitetit lokal, sigurimin e së ardhmes së klubit lokal të futbollit ose sjelljen e [kompanisë] Primark në qytet – të gjitha këto të paraqitura në broshurën që synonte gjithë të tjerët – por, u fokusua vetëm në Gazë. Jo, e meta në pretendim është mendimi se Galloway është unik në atë që bën.

Është më i zhurmshëm se të tjerët dhe retorika e tij është më me ngjyra – por, e vërteta e zymtë është se, kur bëhet fjalë për përdorimin e tmerrit të luftës Izrael-Hamas dhe gjithë frikën dhe urrejtjen që ka ngjallur në vend, Galloway nuk është i vetmi.

Ish-nënkryetari i Partisë Konservatore, Lee Anderson, e luante të njëjtën lojë kur pa arsye e akuzoi Sadiq Khanin se është kaq shumë i skllavëruar nga “shokët” islamikë, saqë po dështon në ofrimin e sigurisë në demonstratat pro-palestineze në Londër. Andersoni përpiqej të nxiste ndjenjën antimyslimane, sipas linjës së Suella Bravermanit e cila foli për “marshe të urrejtjes” dhe “turma keqbërëse” – dhe, të premten vonë kjo u ndoq nga Rishi Sunaku në adresimin e tij jashtë Kryeministrisë. Ai gjithashtu i sulmoi marshuesit, duke paralajmëruar kërcënimin që paraqet ekstremizmi dhe fanatizmi për demokracinë – një luks për të, duke pasur parasysh heshtjen e tij ndaj ekstremizmit dhe fanatizmit brenda partisë së tij dhe paaftësinë e tij për ta quajtur Andersonin, ashtu siç është, paragjykues antimysliman. Me siguri, kryeministri i ka parasysh disa aspekte të favorshme për betejën e fushatës së ardhshme të përgjithshme zgjedhore, dhe nuk dëshiron ta humbasë këtë mundësi. Sunaku, Bravermani dhe Andersoni, që të gjithë i kanë motivet e veta – duke e ofruar veten si mbrojtës të hebrenjve britanikë, në veçanti, pasi ai komunitet përballet me rritjen rekorde të antisemitizmi – por, po si Galloway, edhe ata janë në biznesin e shfrytëzimit. Dhimbja e të tjerëve është përfitimi i tyre.

Ata janë praktikuesit më të ashpër, por nuk janë të vetmit. Deputetët e Partisë Kombëtare Skoceze janë, natyrisht, të sinqertë në zemërimin ndaj gjendjes së rëndë në Gazë. Por, pak mund të argumentojnë nëse mocioni i armëpushimit që paraqitën javën e kaluar – i cili shkaktoi përçarje në Dhomën e Ulët – kishte për qëllim vetëm ndihmesën për palestinezët nevojtarë. U krijua për ta shfaqur dhe zgjeruar edhe përçarjen brenda radhëve të rivalëve të tyre elektoralë – laburistëve. Ndërkohë, laburistët dhe konservatorët komplotuan lëvizjet e tyre procedurale, duke menduar më pak për Lindjen e Mesme e më shumë për lojën e madhe për Uestminsterin.

Siç ndodhi, këtë javë disa anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Ulët, u ulën në një dhomë modeste dhe morën dëshmi nga izraelitët dhe palestinezët se si Britania mund të bëjë vërtet diçka të dobishme për t’ia dhënë fundin gjakderdhjes. Diskutimi ishte serioz dhe praktik – dhe u tha se kishte zero qëllime për përfitime politike nga të përfshirët. Nëse doni të përfitoni nga gjithë këto vdekje dhe shkatërrime, qëllimi nuk është zgjidhja e problemit – është përfitimi, ta merrni gjithë atë pikëllim dhe atë dhimbje dhe të bëni tregti me të.

Pra, po, Galloway më së shumti është i mbushur me helm. Por, nuk është i vetmi, siç do të donim të ishte. Gjithmonë ishte demagog dhe populist, dhe politika jonë sot është e mbushur me njerëzit e tillë: “Ta bëjmë Roçdejlin sërish të madh” ishte slogani i tij, një qasje kjo admiruese ndaj Donald Trumpit. Sa i përket asaj që duket se është zakon për të bërë për vete ata që vuajnë, duke e vënë njërin komunitetit kundër tjetrit – mirë, ndoshta kjo dikur e veçonte atë. Por, coftinarët sot janë kudo rreth nesh. /Telegrafi/