LAJMI I FUNDIT:

Gazsjellësi EastMed – projekti që binte ndesh me gjeopolitikën dhe politikat mjedisore

Gazsjellësi EastMed – projekti që binte ndesh me gjeopolitikën dhe politikat mjedisore

Bashkimi Evropian po ballafaqohet me rritjen rekorde të çmimit të gazit natyror dhe po i bënë thirrje Rusisë që të rrisë eksportet.

Gazsjellësi EastMed, një projekt 6 miliardë eurosh, kishte për qëllim rrjedhjen e gazit nga Izraeli dhe Egjipti përmes një tubacioni 1,250 kilometrash që kalon përmes Qipros dhe Greqisë në tregjet evropiane, u shpall “i vdekur” pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën mbështetjen për të.


Në një letër dërguar Greqisë, Washingtoni përmendi arsyet mjedisore për të mos mbështetur më projektet energjetike që nuk janë të tilla, paqëndrueshmërinë ekonomike e tregtare dhe faktin që ky projekt do të shkaktonte tensione në rajon.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të ndërlidhur gazsjellësin EastMed me Evropën”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price duke shtuar se vendi po e zhvendos fokusin e saj në burimet e energjisë së ripërtërishme, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.

Tubacioni kishte shkaktuar tensionet midis Qipros, Greqisë dhe Turqisë mbi kufijtë detarë dhe kërkimin për naftë dhe gaz në det të hapur. Turqia ka provokuar Qipron dhe BE-në duke kërkuar gaz rreth Qipros në zonat që ajo pretendon se i përkasin turqve qipriotë.

Projekti ishte mbështetur nga administrata e ish-presidentit Donald Trump dhe ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Tërheqja nga projekti i tubacionit po mirëpritet nga Ankaraja.

“Nëse [gazi izraelit] do të sillet në Evropë, kjo mund të bëhet vetëm përmes Turqisë”, kishte thënë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa, kryeministri i turqve qipriotë, Faiz Sucuoglu e quajti projektin një “marrëzi”.

Edhe në Qipro, në pikun e konfrontimeve me Turqinë, këtë lëvizje të SHBA-së e ka pritur me sinjale të përziera.

Ministri qipriot i Punëve të Jashtme, Ioannis Kasoulides është shprehur se ai, “e ka konsideruar gjithmonë tubacionin EastMed si një mjet për krijimin e problemeve [konflikteve]”.

Mirëpo, presidenti qipriot Nicos Anastasiades ka thënë se këto janë pikëpamjet personale të Kasoulides.

“Është e papranueshme që disa njerëz janë të lumtur, sepse realizimi i projektit supozohet se është anuluar”, tha Anastasiades.

EastMed u vendos të ishte një nga tubacionet nënujore më të gjatë dhe më të thellë në botë, i aftë për të transportuar midis 9 miliardë deri 12 miliardë metra kub gaz natyror në vit – rreth 10 për qind të furnizimit të vendeve evropiane – gjë që do të ndihmonte në reduktimin e varësisë së BE-së nga gazi rus. /Telegrafi/