LAJMI I FUNDIT:

Gazpromi rus humb dominimin në vendet e Ballkanit Perëndimor

Gazpromi rus humb dominimin në vendet e Ballkanit Perëndimor

Me ndërrimin e viteve në tregun e gazit në Evropën Juglindore pati tre zhvillime me rëndësi që do të kenë vazhdë të gjatë të pasojave.

Më 1 janar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dha me ceremoni sinjalin e fillimit: vendi i tij do të furnizohet tanimë me gaz rus përmes një itinerari të ri, nga Bullgaria përmes një gazsjellësi në Ballkan, Balkan Stream, një degëzim i gazsjellësit Turkish Stream.


Në fund të vitit 2020 filluan furnizimet nga Axerbajxhani drejt Bullgarisë përmes gazsjellësit të sapo-përfunduar trans Adriatik, i njohur si gazsjellësi TAP. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov theksoi po ashtu ditën e Vitit të Ri, gjatë një vizite në një stacion kompresori në kufirin grek.

“Nga sot kemi diversifikim të plotë”, tha Borisov.

Thënë ndryshe, ai me këtë bëri të ditur fundin e monopolit të koncernit Gazprom në tregun bullgar.

Zhvillimi i tretë në Vitin e Ri ishte vënia në punë komercialisht e terminalit të ri mobil për gazin e lëngshëm LNG para ishullit kroat KRK. Një anije cisternë solli gazin amerikan LNG, i cili u modifikua dhe u fut në rrjetin e tubacioneve të vendit, që po ashtu është i lidhur me rrjetin evropian. Me këtë Kroacia, po ashtu degëzon furnizimin, që deri më tani vinte vetëm nga Gazprom. Kroacia tani mund të veprojë edhe si eksportuese e gazit në Hungari apo Ukrainë.

Blerësit më të mëdhenj të gazit rus në Ballkan në vitin 2019, sipas Gazprom, ishin Kroacia me 2.82 miliardë metër kub, Greqia me 2.41 miliardë dhe Bullgaria me 2.39 miliardë, kurse Serbia me 2.12 miliardë metër kub gaz renditet në vendin e katërt.

Kapaciteti i terminalit LNG të vënë në punë në Kroaci kap 2.6 miliardë metër kubik në vit. Teorikisht Kroacia brenda natës mund t’i jepte fund bashkëpunimit me Gazpromin, gjë që nuk ka gjasa. Më shumë realiste është ulja e ndjeshme e gazit të porositur në Rusi. Kështu tani në Kroaci, Gazpromi ka një konkurrencë serioze, gjë që do të ulë çmimet në treg e jo vetëm në tregun kroat. Një pjesë e madhe e gazit të lëngshëm në terminalin para KRK do të shkojë për eksport. Blerësi kryesor do të jetë Hungaria, por edhe Ukraina, mund të jetë blerëse e gazit.

Për Gazpromin, Hungaria është një treg i rëndësishëm. Në vitin 2019 u shitën aty 11.26 miliardë metër kub gaz që shkon në Hungari pastaj në Austri, ku gjendet një stacion i rëndësishëm gazi për eksportin rus. Nga aty do të rrjedhë përmes një degëzimi të dytë të gazsjellësit Turkish Stream gaz me një kapacitet 15.75 miliardë metër kub.

Bullgaria dhe Serbia janë tregje të vogla për një projekt të tillë gjigant të gazit edhe Maqedonia e Veriut me 0.3 miliard metër kub gaz në vitin 2019, apo Bosnja e Hercegovina me 0.24 miliard metër kubik. Degëzimi Balkan Stream që u vendos vitin e kaluar nga kufiri turk përmes territorit bullgar dhe lidhja e tanishme me Serbinë janë për Gazprom vetëm një fazë e ndërmjetme për qëllimin final: zgjatjen e gazsjellësit deri në Hungari, gjë që me shumë gjasa mund të kryhet në vitin 2022.

Deri atëherë Gazprom do të furnizojë tregun hungarez tranzit, përmes Ukrainës, vetëm se tani në Hungari vjen konkurrencë nga Kroacia.

Sipas Croatiaweek, terminali LNG është i porositur për tre vitet e ardhshme plotësisht, deri në vitin 2027 me 80 për qind dhe deri në vitin 2035 me 50 për qind.

Në një kohë që fillimi nga puna i terminalit LNG në KRK është humbje monopoli për Gazpromin, dhe ka më shumë konkurrencë në Hungari, koncerni rus e humbet pozicionin e monopolit edhe në Bullgari përmes fillimit të të ashtuquajturit korridori jugor i gazit. Ai do të ndeshet me një konkurrencë më të fortë edhe në Greqi dhe Itali. Konkurrenca në këtë rast nuk është ndonjë gaz i lëngshëm nga Katari, Algjeria apo Shtetet e Bashkuara, por një gazsjellës më i leverdishëm nga Azerbajxhani.

Korridori jugor i gazit është një sistem me dy gazsjellës: TANAP dhe TAP. TANAP i ashtuquajturi Trans-Anatolian Natural Gas Pipeline u vendos në punë në vitin 2018 dhe sjell gaz nga Azerbajxhani përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë në Greqi, ku fillon lidhja, që tani u vu në punë e linjës TAP i ashtuquajturi Trans Adriatic Pipeline. Përmes kësaj lidhjeje, gazi do të vazhdojë të shkojë në Shqipëri, dhe përmes detit deri në Itali. TAP ka një kapacitet prej 10 miliardë metër kub në vit, prej tyre 8 miliardë janë parashikuar për Italinë, blerësi kryesor i gazit azerbajxhanas në BE. Për Gazpromin, Italia është pas Gjermanisë tregu i dytë më i rëndësishëm i gazit në BE. Teorikisht pas fillimit nga puna të TAP, kërkesa për gaz nga Rusia mund të bjerë me një të tretën.

Por Gazpromi më shumë humbje kërcënon të ketë në Evropën Juglindore. Që këtë vit do të kalojnë 1 miliard metër kub gaz përmes TAP-it në Greqi dhe Bullgari. Po të kujtosh se të dy vendet në vitin 2019 kanë blerë në vitin 2019 me 2.4 miliardë metër kub gaz, furnizimet ruse mund të ulen në këto tregje deri 45 për qind.

Para këtyre zhvendosjeve tektonike në tregun e gazit në Evropën Juglindore lidhja e Serbisë me degëzimin Balkan Stream duket vetëm si një ndryshim i itinerarit të gazit rus në këtë treg të vogël. Më parë Serbia e merrte gazin nga Ukraina dhe Hungaria. Tani, një vit pas vënies në punë të gazsjellësit Turkish Stream, gazi rus do të kalojë përmes Detit të Zi, Turqisë, Bullgarisë deri në Serbi. Serbia do të përfitojë përmes ndryshimit dhe tarifave të transitit, sepse sipas agjencisë Interfax, çmimi për gazin rus do të bjerë nga 240 dollarë për 1 mijë metër kub në 155 dollarë, gjë që e rrit aftësinë konkurruese të gazit rus. Në të njëjtën kohë Gazpromi nuk e ka zgjidhur ende detyrën strategjike të vënë nga Ukraina për t’i dhënë fund përfundimisht kalimit tranzit të gazit përmes Ukrainës. /Deutsche Welle/