LAJMI I FUNDIT:

Agron Shala sjell librin, “Korça sipas një kosovari” (Video)

Agron Shala sjell librin, “Korça sipas një kosovari” (Video)

Gazetari dhe publicisti Agron Shala, në emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com, ka folur për librin e tij të radhës, “Korça sipas një kosovari”.

Shala ka treguar se libri që i dedikohet Korçës, është konceptuar si reportazh, por që ngërthen në vete udhëpërshkrimin, kronikën dhe dokumentaren.


“Miqtë nga Shqipëria më kanë këshilluar që ta bëj një seri të reportazheve të qyteteve të veçanta të Shqipërisë, si Korça dhe Shkodra. Këshilla po ashtu ka qenë që çdo botim ta ketë mbititullin ‘Rrokull Shypnisë’, siç i përgatiste Gjergj Fishta lajmet vendore te ‘Hylli i Dritës’. Por, më vonë, pas një bisede me studiuesin Armand Plaka dhe me disa miq nga Korça, u përcaktova për titullin ‘Korça sipas një kosovari’. Kjo më bën të ndjehem më rehat, sepse tregon edhe një anë subjektive të perceptimeve të mia për Korçën. Pra, si kosovar (siç na quajnë në Shqipëri)”, deklaroi Shala.

Autori tha se muajin korrik e ka zgjedhur qëllimisht për ta filluar udhëpërshkrimin, ndërkaq shtoi se viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë botim kaq të gjatë për qytetin e Korçës.

“Korça ka çka ofron: ka më shumë muze se Tirana e Prishtina, është një qytet i mbushur me monumente, me histori shumë të pasur… Ndaj, nuk kam mundur ta shmang të kaluarën e Korçës, sepse ka ndikuar në zhvillimet e rëndësishme për shqiptarët në përgjithësi. Ajo e kaluar reflekton edhe sot”, tha ai.

Agron Shala, autori i librit “Korça sipas një kosovari”, gjatë intervistës për “Përballje ditore” (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Shala i përmendi edhe keqkuptimet mes shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre të Shqipërisë.

“Distanca ka bërë që dikur të ketë paragjykime mes shqiptarëve. Në këtë ka ndikuar bllokimi i kufijve, por edhe kontaktet e para me njerëz të gabuar – pas hapjes të kufijve. Paragjykimet nga ajo kohë, për të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri, vazhdojnë edhe sot. Por, me personazhin që kam pranë vetes e me të cilin udhëtoj deri në hyrje të Tiranës, e shoh sesa dallime kemi edhe brenda neve kosovarëve. As ne në Kosovë nuk e njohim njëri-tjetrin, sepse kemi paragjykime të rajonit për rajon “, theksoi Shala.

Ai shprehet se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë duhet ta shtojnë komunikimin e ta vlerësojmë njërin-tjetrin, sepse kanë çfarë të mirash të marrin e të japin.

“Korça sipas një Kosovari” do të promovohet në Korçë, më 25 maj. Autori i këtij libri i vlerëson lartë banorët e këtij qyteti.

“Korça ka traditë të muzikës, në pikturë, arte skenike… është vend i cili prej të huajve është quajtur kryeqytet i kulturës dhe i intelektualëve shqiptar”, thotë ai.

Libri që mund të cilësohet edhe si një histori e shkurtë e Korçës dhe të njëjtën kohë si guidë e Korçës së sotme, është i ilustruar me 50 fotografi të rralla dhe të veçanta, ndërsa është i pranishëm në libraritë kryesore të Prishtinës – si Libraria “Dukagjini” dhe ajo “Artini”. /Telegrafi/