eksperti ad

Specialisti i mjekësisë familjare dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka ndarë rrëfimin e tij profesional dhe personal, duke folur për rrugëtimin nga ditët e para pas luftës, sfidat gjatë pandemisë COVID-19 dhe vizionin për të ardhmen e mjekësisë familjare në Kosovë.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Gashi tha se mjekësia familjare duhet të jetë pika kryesore e sistemit shëndetësor, ashtu si në vendet më të zhvilluara.


“Gjithmonë e kam pasur bindjen që mjekësia familjare do të jetë shtylla e shëndetësisë në Kosovë, ashtu siç është në Evropë. Kur të funksionalizohen plotësisht sigurimet shëndetësore, gjithçka do të kalojë përmes mjekut familjar dhe roli i tij do të jetë shumë më i madh se sa është sot”, u shpreh ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai tregoi se rrugëtimi i tij në shëndetësi nisi menjëherë pas përfundimit të luftës, më 21 qershor 1999, kur për 72 orë rresht punoi pa u kthyer në shtëpi.

“Punën e kam filluar si infermier. Ishin 72 orët e para pa shkuar fare në shtëpi. Ishte një periudhë që nuk harrohet kurrë dhe që ma formësoi gjithë jetën profesionale”, tha Gashi.

Sipas tij, pikërisht përvoja si infermier ka ndikuar në mënyrën se si e sheh sot sistemin shëndetësor dhe marrëdhënien me pacientët.

“Infermieria është baza e mjekësisë. Ai është kontakti i parë me pacientin dhe përshtypja e parë që krijon qytetari për institucionin shëndetësor. Për këtë arsye kemi punuar shumë që komunikimi dhe mikpritja ndaj pacientëve të ndryshojnë”, deklaroi ai.

Duke folur për pandeminë COVID-19, Gashi kujtoi se fillimi ishte një periudhë e mbushur me pasiguri, pasi askush nuk e dinte saktësisht se me çfarë virusi po përballeshin.

“Virusi ishte i panjohur. Nuk dinim sa ishte i rrezikshëm, si përhapej dhe kush rrezikohej më shumë. Paniku ishte i jashtëzakonshëm, por ne u përpoqëm të merrnim vendimet më të mira me informacionin që kishim në atë kohë”, tha ai.

Ai shtoi se gjatë gjithë pandemisë është përpjekur të komunikojë me qytetarët në mënyrë të qartë dhe pa krijuar frikë.

“Më kanë falënderuar shumë qytetarë sepse nuk kam komunikuar me panik. Kam preferuar të përdor një gjuhë që çdo qytetar ta kuptojë dhe jo terminologji të ndërlikuar mjekësore. Kjo ka qenë satisfaksioni më i madh për mua gjatë pandemisë”, u shpreh Gashi.

Në intervistë, ai foli edhe për projektin që synon t'i japë çdo qytetari një mjek familjar të përzgjedhur, model që sipas tij do të përmirësojë ndjeshëm kujdesin shëndetësor.

“Secili qytetar do ta ketë mjekun e vet familjar. Ai mjek do ta përcjellë pacientin në ordinancë, në shtëpi dhe gjatë gjithë rrugëtimit të tij shëndetësor, derisa të ketë nevojë për trajtim në nivelin dytësor ose tretësor”, tha Gashi. /Telegrafi/