LAJMI I FUNDIT:

​GAP: Komunat do të dalin nga pandemia e COVID-19 të dëmtuara në të hyra vetanake

​GAP: Komunat do të dalin nga pandemia e COVID-19 të dëmtuara në të hyra vetanake

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka publikuar raportin rreth ndikimit të COVID-19 në pushtetin lokal, ku thuhet se ndërmarrja e masave për frenimin e pandemisë ka ndikuar në dinamikën e punës në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas GAP, pushteti lokal ka luajtur rol aktiv në ndërmarrjen e masave në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Në të gjitha komunat, të hyrat komunale gjatë gjysmës së dytë të muajit mars 2020 dhe në muajin prill kanë shënuar rënie prej 45 për qind deri 90 për qind. Gjatë këtyre dy muajve, të gjitha komunat kanë arkëtuar 5.8 milionë euro të hyra, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar (2019). Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë. Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset. Edhe gjobat në trafik kanë rënë për 90 për qind. Përveç të hyrave vetanake, komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale”, thuhet në komunikatën e GAP, ku theksohet se kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarve.

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019. /Telegrafi/