LAJMI I FUNDIT:

GAP kërkon qasje në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”

GAP kërkon qasje në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e TC “Kosova e Re”

Instituti GAP përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën për qasje në kontratën e nënshkruar më 20 dhjetor 2017 në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global për ndërtimin e TC “Kosova e Re”.

“Konform nenit 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për qasje në dokumente publike, kërkojmë që MZHE të lejoj qasje në këtë dokument me interes publik”, thuhet në komunikatë.


Instituti GAP ka rikujtuar se  ka dorëzuar disa herë kërkesa për qasje në pakon tenderuese të TC “Kosova e Re”.

Në kërkesën e GAP të datës 8 mars 2012, MZHE ishte përgjigjur në këtë formë:

“Në këtë pako tenderuese janë dokumente të cilat janë në formë të draftit dhe të cilat para marrjes së formës përfundimtare nuk do të mund të ju vëjmë në dispozicion. Dokumentet e pakos tenderuese marrin formën e prerë pas nënshkrimit të kontratës përfundimtare. Shenja e konfidencialitetit do të largohet pasi që kontrata të merr formën përfundimtare dhe të nënshkruhet nga të dy palët.”

“Instituti GAP nuk është pajtuar asnjëherë me qasjen e institucioneve publike për të mos lejuar qasje në dokumentet që janë draft dhe për këtë arsye kemi dorëzuar padi më 3 qershor 2013. Por edhe pas katër vite e gjysme ende nuk ka një vendim gjykate për këtë padi”, theksohet në komunikatë.

“Andaj, duke marr për bazë përgjigjet e mëhershme të MZHE se dokumentet do të bëhet publike pas nënshkrimit, shpresojmë se kësaj radhe do të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për qasje në dokumente publike”, thuhet në fund të komunikatës së GAP-it. /kp/