Tifozët e Juventusit kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas anulimit të golit të Jonathan David në minutën e 34-të të sfidës së Kupës së Italisë kundër Udineses.

Asistenti i gjyqtarit Fourneau sinjalizoi pozicion jashtë loje, vendim që u verifikua nga VAR-i dhe teknologjia SAOT (pozicion jashtë loje gjysmë-automatik). Por kuadri i shfaqur në transmetim ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi në pamje shihet Bertola në qendër të zonës së penalltisë, jo Palma, lojtari që tifozët e Juves pretendojnë se mbante në linjë Davidin.


Goli i David u anulua për pozicion jashtë loje, duke ndezur polemika të mëdha rreth kuadrit të përdorur në TV.

Sipas Mediaset, Lega Calcio ka siguruar ngrirjen zyrtare të momentit të pasimit të Yildiz drejt David, i cili më pas shënoi bukur nga harku i zonës, duke mposhtur Savën në shtyllën e afërt. Kanadezi rezultoi për pak milimetra në pozicion jashtë loje në raport me Bertolën, që mbante qendrën e zonës së Udineses.

Megjithatë, shumë tifozë vënë në dyshim pse pozicioni i Palmës nuk u mor parasysh. 17-vjeçari, i vendosur pak më poshtë në fushë ndërsa po rikthehej në vijën mbrojtëse, në pamjet televizive duket të jetë në një vijë të ngjashme ose edhe më poshtë se David.

Sipas tifozëve, kjo mospërfshirje në skanimin e linjës së ofsajdit e bën vendimin të paqartë dhe të diskutueshëm.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra, me tifozët bardhezinj që e cilësojnë vendimin si të padrejtë, duke e krahasuar këtë rast me episodin e famshëm të vitit 2022 në ndeshjen Juventus–Salernitana, kur goli i Candrevas u shpërfill në analizën e VAR-it dhe gola i Milikut u anulua gabimisht. /Telegrafi/


- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app