LAJMI I FUNDIT:

Fushata dhe koha për militantizëm ndryshe

Fushata dhe koha për militantizëm ndryshe

Tani që fushata filloi zyrtarisht, qytetarët janë në pritje të shumë ndryshimeve, njëherësh të dëshiruar për ta kapërcyer “rubikonin” që duhet të ndajë modelin të vjetër të organizimit elektoral bashkë tipologjinë klasike të amortizuar, formave stereotipike e të kalcifikuara të mënyrës arkaike e tradicionale, vanitoze e agresive, tipike të politikës sonë, aspak të “lavdishme”. Kjo nuk është çështje formale apo pretenciozitet abstrakt politologjik. Përkundrazi, kjo logjikë politike sempliste e bashkuar me një “metafizike” të ngurtë elektorale, që ka sunduar arealin politik në këto tri dekada e gjysmë, tashmë është e papranueshme dhe kundërproduktive. Madje, është kthyer në bezdi sociale, e shfaqur në përmasat e shqetësimit, jo si efekte të dukjes apo “teatralitet” politik, por si shqetësim koherent që duhet refuzuar. Një kërkesë për të cilën pritet sidomos kontributi konsistent i kandidatëve të rinj për deputetë.

Që në fillim dua të ngre një shqetësim të njohur dhe pa paragjykuar mundësinë e ndryshimeve të “teatralitetit”, mënyrës spektakolare, që për hir të së vërtetës kanë tendencë të shfaqen si novitete në tipologjinë e kësaj fushate. Megjithatë, në shumë takime elektorale, megjithëse jemi në fillimet e fushatës, ndihet forca e inercisë së modelit të vjetër të strukturimeve me natyrë populiste. Frika ime është e lidhur me mundësitë partiake dhe individuale të kandidatëve të rinj dhe disponimin e sovranitetin e tyre, për të ndryshuar sistemin e vjetër e tradicional të komunikimit elektoral, duke u larguar nga praktikat e fushatave të kaluara, stilit të vjetër të komunikimit dhe argumentimit semplist, duke u marrë thjesht me interpretimin e së kaluarës apo edhe gjendjes ekzistuese të gjërave. Që shpeshherë në emër të “duelit politik”, e bëjnë këtë “urë lidhëse” për të trajtuar sfidat e së ardhmes. Kjo tipologji komunikimi, kjo formë, metodë politike e diskutimit në fushatë, jo vetëm nuk është atraktive për qytetarët, por ka filluar të bëhet e papranueshme, bezdisëse, e shoqëruar psikologjikisht me pasoja evidente të ndjenjës së “neverisë sociale” publike. Personalisht mendoj se kjo mënyrë empirike, e konsumuar, pa fantazi politike, e deformuar strukturalisht është një nga faktorët që sjell skepticizëm, apati civile, indiferencë urbane dhe në mënyrë të natyrshme, largim nga takimet elektorale. Kjo mënyrë komunikimi e thatë, cerebrale që “na mërzit me monotoninë e tij, është gjithmonë e njëjta histori dhe ndonjëherë do të donim të paktën ta dëgjonim të paktën nga një tjetër zë” (Marc Ague, “E ardhmja”, f. 24).

Qytetarët, pavarësisht statusit që i japin vetes si “votues” apo si “zgjedhës”, janë “sy e veshë” për ndryshim, për të parë risi konceptuale, novitete të sjelljes, komportimit social dhe gjuhës politike elektorale. Rishikimi i modelit elektoral është i domosdoshëm. Jo vetëm për shkak të kohës që jetojmë, pranisë së hapësirave të reja të komunikimit mediatik, potencës së internetit dhe rrjeteve sociale, por edhe për një arsye thelbësore dhe estetike e spektakolare në të njëjtën kohë, që lidhet me nevojën e ndryshimeve fenomenologjike të mënyrave të ekzekutimit të një procesi elektoral. Në të gjithë formatin e tij masiv dhe kapilar, duke e bërë atraktiv komunikimin interpersonal e sa më shumë të personalizuar. Rishikimi i ontologjisë së kësaj fushate është i nevojshëm të bëhet tani, pas evidentimit të të metave dhe mangësive të shumë prej fushatave të bëra më parë.


Prania e disa njerëzve të rinj në moshë, karizmatikë në performancë, shumë elokuentë në komunikimin publik e mediatik, të orientuar me teknologjinë, të familjarizuar me format e larmishme të spektakolaritetit elektoral, është një aset moshor, strukturor dhe politik, që duhet të bëhet “agjent” për ndryshimin e arkaizmit dhe tradicionalizmit, thyerjen e tabuve të modeleve që janë të bezdisura, të neveritshme, mënyrave primitive të “kërkimit të votës” së qytetarëve.

Megjithatë, me sa duket, pritshmëritë për ndryshim, rinovim dhe freskim të modelit klasik, apo për të transplantuar tipologjinë e fushatës, sipas “modelit të amerikanizuar”, edhe në këtë fushatë janë të zbehta. E para, sepse politikanët e rinj edhe kur i kanë njohuritë e modeleve moderne të organizimit të një fushate atraktive, nuk kanë guximin personal, as hapësirën e duhur për të qenë “ikonoklastë”, për të “thyer” modelin e trashëguar nga politika e vjetër dhe e dyta, është e lidhur me faktin, se në listat e të gjitha partive janë dominantë dhe me pushtet absolut “skifterët e vjetër” të politikës së majtë apo të djathtë, të cilët pavarësisht se ku ndodhen të vendosur në skakierën enumerative, madje nuk ka fare rëndësi pozicioni nominal i tyre, nëse janë në listat e mbyllura apo të hapura, rëndësi ka që aty janë ata, që janë stazhionuar në politikë për 35 vjet, duke marrë statusin e “kafshës politike” dominante të mënyrës së komunikimit politik në fushatë. Duke i fosilizuar modelet e vjetra, duke i konsideruar ato tabu e të domosdoshme.

Kandidatët e rinj për deputetë nuk mund të jenë indiferentë e të mos kuptojnë se ndryshimi i tipologjisë së fushatës, transformimi pozitiv i skenarit klasik, skemave të regjisë politike konservatore, gjuhës verbale të drunjtë, manierave trupore e gjestikulacioneve politike, është një gjë që pritet prej tyre. Dhe ky nuk është as problem formal, as kapriço estetike, por është thelbësore, e lidhur me shumë nevoja të rifreskimit të figurës omnipotente të politikanit dhe përmirësimin e parametrave civilë të funksionimit të demokracisë përfaqësuese.

Ajo që pritet nga deputetët e rinj, është nevoja që të induktojnë forma të reja të “subjektivitetit politik” dhe personalitetit individualisht të spikatur të tyre. Ata kanë fatin të tregojnë modelin e deputetit që e luan rolin, jo thjesht me servilizëm apo mirënjohje aristokratike, për atë parti që të ka vendosur në listë, por duhet dhe pritet një performancë ndryshe, e realizuar me dinjitet e personalitet, me dije dhe elokuencë, me aftësi për të kuptuar dallimin midis “zgjedhësit” aktiv nga “votuesi” pasiv, mënyrën konstruktive dhe elegante për të shpalosur në mënyrë konstruktive dhe jo intuitive, problemet që shqetësojnë njerëzit, politikën aktuale, jetën shoqërore. Të gjitha këto tipare që i kanë si veçori moshore të rinjtë, të cilat duhet të bashkohen njëherësh edhe me aftësinë për të folur dhe artikuluar ato në kontekstin e duhur. Nëse politika në përgjithësi dhe sidomos politikanët e rinj nuk reflektojnë për këto paradigma esenciale, ata do të kenë si pasojë vazhdimin e “ftohjes së përgjithshme sociale dhe elektorale”, largimin e qytetarëve nga nevoja e pashmangshme e pjesëmarrjes në jetën politike, si element substancial i demokracisë.

Ky është një kusht thelbësor që mundëson tërheqjen elektorale të qytetarëve, sidomos të atyre që janë në “gjendje hamendësimi” dhe pozita pasiviteti për të shkuar drejt kutive të votimit në 11 maj, edhe pse mund të jenë të pakënaqur për arsye të ndryshme politike, sociale apo personale, të mërzitur nga gjendja ekzistuese, që disave u duket pozitive dhe me tendencë progresive, e ca të tjerëve si statusquo e “palëvizshme”.

E them këtë sepse në shumë nga fushatat e kaluara (uroj që kjo sëmundje të jetë shëruar dhe të mos ketë “infektuar” kandidatët e rinj për deputetë), është evidentuar qoftë gjatë fushatës apo edhe në jetën parlamentare kontradikta, në jo pak raste e banalizuar si përplasje midis dëshirës utopike për t’u bërë deputet dhe pamjaftueshmërisë së kualiteteve dhe aftësisë për ta përballuar këtë sfidë publike që në performancën e parë publike në fushatë. Kjo është arsyeja pse në jo pak raste, fushata si “test i integruar” personal, kulturor e politik, disave u është kthyer në bumerang personal, që tregon se ideja e “pasionit politik” është artificiale, se dëshira për të bërë karrierë politike dhe siguruar atributet, benefitet materiale e financiare, sidomos nderimet e panatyrshme publike, nuk bashkohet gjithnjë e në çdo rast me sistemin e meritës dhe vlerave personale. Padyshim, në këtë fushatë me siguri që do të shpalosen natyrshëm ide dhe pasione politike dikotomike, shoqëruar me shpërthime instinktesh politike ballkanike, të cilat nëse nuk kontrollohen, nuk të lejojnë të shfaqesh me ide politike konkrete.

Varet si do të shfrytëzohet ky moment. Nëse ai vlerësohet si një ritual politik, si obligim kushtetues apo si teknikalitet formal në emër të konfirmimit përmes votës së qytetarëve, pa e konsideruar shumë me vlerë dhe dobiprurëse fushatën, e cila sikurse thotë sociologu britanik Anthony Giddens duhet të kthehet në “pikë aksesi”, dhe rast publik për të bërë lidhjen organike të masës qytetare me partitë politike dhe liderët e tyre, por në mënyrë të veçantë me pretenduesit e rinj dhe dëshirën e tyre për të qenë përfaqësues të tyre në Parlament, atëherë utiliteti i fushatës do të jetë skeletik. Kandidatët e rinj për deputetëtë duhet të sjellin ide, programe ndryshimi dhe koncepte politike që t’i shërbejnë transformimit të gjërave në këtë vend, përmirësimit të jetës ekonomike, kulturore, nevojave të forcimit të “demokracisë lokale”, rritjes së autoritetit, efektivitetit për të bërë dhe plotësuar kërkesat e ligjshme urbane, humane, mjedisore, shëndetësore e arsimore në nivelin e “përfaqësimit gjeografik” të kandidatit.

Fushata ka lidhje organike me një varg faktorësh individualë e socialë, që kërkojnë, jo vetëm bindje të forta politike, por edhe forcën e argumentit nga kandidatët e rinj, në paraqitjen publike të ideve personale apo programit politik elektoral të partisë që përfaqësojnë. Një angazhim personal që kërkon dije politike, përkushtim militant, aftësi të gjëra komunikimi, shfaqje të aftësisë së empatisë elektorale, aftësi për të intervenuar në mendjen dhe zemrën e njerëzve, oratorinë e spikatur, formën e artikulimit, gjuhën e trupit, e gjithçka tjetër që kërkon një performancë e mirë elektorale. Në mënyrë të veçantë autoritetin e duhur për prezantimin e personalizuar të kandidatëve të konfirmuar në listat e partive respektive.