LAJMI I FUNDIT:

Furgoni hyn në një shëtitore në Bruksel, lëndohen gjashtë persona

Furgoni hyn në një shëtitore në Bruksel, lëndohen gjashtë persona

Shoferi i furgonit, i cili hyri në një shëtitore në qendër të Brukselit herët pasdite të së premtes u arrestua në Antwerp. Willemien Baert, zëdhënësja e zyrës së prokurorit publik të Brukselit, tha se hetimet po vazhdojnë rreth motiveve.

Rreth orës 13:00 të kësaj të premte, një furgon i bardhë kaloi nëpër dy tarraca, të vendosura në rrugën Saint-Michel në qendër të qytetit të Brukselit, Belgjikë duke u shkaktuar lëndime të lehta gjashtë personave.

Furgoni u gjet pak më vonë në Saint-Josse, përpara se i dyshuari, M.G., të kapej në rajonin e Antwerp.

Automjeti është kontrolluar edhe nga shërbimi i pastrimit të minave të ushtrisë, SEDEE.

Niveli i kërcënimit ishte rritur nga 2 në 3 në disa vende në Bruksel, por ndërkohë është ulur sërish. Trupi Koordinues për Analizën e Kërcënimeve (Ocam) tregoi se ishin zbuluar “elemente shqetësuese”, por më në fund u shfaqën “elemente qetësuese”.

Prokuroria Publike e Brukselit, në një konferencë për media të mbajtur në fund të pasdites, ka dhënë informacione të mëtejshme. “Të gjitha hetimet kanë çuar në identifikimin e një të dyshuari që u arrestua pasditen e sotme nga policia në Antwerp. Ai do të intervistohet nga policia dhe më pas do të shohim vazhdimin”, tha Willemien Baert, zëdhënësi i prokurorisë.

Ajo gjithashtu bëri të qartë se të gjitha pistat mbeten të hapura “Hetimet janë ende duke u zhvilluar për zbardhjen e rrethanave të sakta të fakteve, sepse në këtë fazë pistat e ndryshme janë ende të hapura. Ende nuk dihen motivet e të dyshuarit. Unë e di që faktet të kujtojnë sulmet e ndodhura në të kaluarën, por për momentin nuk është ende e sigurt se është një sulm. Është gjithashtu e mundur që të jetë thjesht një aksident. Duhet të presim vazhdimin e hetimeve për të ditur motivin e saktë”. /Telegrafi/