eksperti ad

Kur motori punon në gjendje boshe (në “ler”), pritet që të punojë qetë dhe në mënyrë të balancuar.

Por çfarë ndodh nëse ndjeni dridhje, djegie të pabalancuar ose nëse rriten rrotullimet e motorit?


Në “ler”, automjetet zakonisht punojnë rreth 700–800 rrotullime në minutë (o/min). Vetë shoferi, nga përvoja, mund të vlerësojë kur motori nuk po punon si zakonisht.

Zakonisht kjo është shenjë e disa problemeve, por cilave? Te motorët me benzinë, kjo mund të lidhet me kandelet (qirinjtë e ndezjes) të konsumuar, për shkak të të cilëve ndezja e përzierjes në cilindër bëhet më e vështirë. Po ashtu, mund të ketë probleme me kabllot e kandeleve ose me instalimet elektrike.

Një tjetër shkak i mundshëm janë injektorët e ndotur të karburantit dhe filtri i ajrit i bllokuar. Edhe një valvul i dëmtuar i rrjedhës së ajrit mund të jetë shkak. Punimi i pabarabartë i motorit mund të ndodhë edhe për shkak të prishjes së vakumit në sistemin e furnizimit me ajër dhe karburant (si pasojë e konsumimit ose dëmtimit).

Pas ndërrimit të rripit të kohëzimit, mund të ndodhë që ai të mos jetë i sinkronizuar saktë, duke bërë që edhe funksionimi i valvulave të mos jetë i koordinuar.

Kjo ul kompresionin dhe rezulton në punë jo optimale të motorit në gjendje boshe. Probleme të ngjashme mund të shfaqen edhe nga konsumimi i këtij rripi.

Në fund, mund të ketë edhe probleme me kohën e ndezjes së përzierjes, për shkak të të cilave motori mund të punojë më ashpër ose madje të fiket. Në çdo rast, nëse vëreni se motori punon në mënyrë të pabarabartë, është e nevojshme të kërkoni ndihmën e një mekaniku. /Telegrafi/