LAJMI I FUNDIT:

Fundjava nxehtë, java e ardhshme me temperatura përvëluese deri në 40 gradë

Fundjava nxehtë, java e ardhshme me temperatura përvëluese deri në 40 gradë
Foto: Arkiv

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot i nxehtë, me temperatura deri në 36 gradë Celsius.

IHK njofton se të shtunën do të jetë mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht rreth relievit malor.


Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius.

Ndërkaq, të dielën do të jetë mot kryesisht me diell dhe me vapë. Në fushat termike parashihen rritje kryesisht në vlerat  e temperaturave maksimale. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-36 gradë Celsius.

Gjatë këtyre dy ditëve të vikendit do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

IHK u bën thirrje qytetarëve për kujdes në këto ditë të nxehta dhe me vapë.

Ndërkaq, edhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror njofton se vala e të nxehtit që ka përfshirë rajonin tonë, e ndikuar nga masat ajrore afrikane do të mbretërojë edhe javën e ardhshme.

Në njoftim thuhet se moti do të përshkohet me vranësira të pakta, erëra kryesisht të lehta herë pas here të rrëmbyeshme nga drejtime të ndryshme, ndërsa temperaturat minimale për herë të parë deri më tani këtë vit do të ulen deri mbi 20°C, kur edhe do të regjistrojmë netët e para tropikale.

Temperaturat maksimale do të sillen nga 33°C – 38°C, madje ekstremet maksimale lokalisht mund të shënojnë edhe 40°C. /Telegrafi/