LAJMI I FUNDIT:

FSK pjesë e “Defender Europe 21”, deklarata e ambasadorit Kosnett për marrëveshjen e Washingtonit, eskalimi i situatës në Kuvend dhe vendimet e fundit të Qeverisë – top lajmet e javës

FSK pjesë e “Defender Europe 21”, deklarata e ambasadorit Kosnett për marrëveshjen e Washingtonit, eskalimi i situatës në Kuvend dhe vendimet e fundit të Qeverisë – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas Kuvendi ishte arenë e përplasjeve në mes të pozitës dhe opozitës për shkak të deklaratave rreth Gjykatës Speciale.

Po javën e kaluar u bë e ditur se Kosova është pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”.


Javën që shkoi ambasadori Kosnett bëri të ditur se administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht, por kjo s’mund të jetë skica e vetme për dialog.

Po ashtu gjatë javës arritën në Kosovë 4,680 dozat e para të vaksinës Pfizer dhe rifillojë procesi i vaksinimit për punëtorët shëndetësorë.

Qeveria e Kosovës në kuadër të parandalimit dhe luftimit të pandemisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut për shkak të variantit të ri të virusit në ato shtete.

Po të premten, Qeveria miratoi Planin qeverisës, ndërkaq në një intervistë për Telegrafin, shefi i BE-së në Kosovë foli për pritjet nga Qeveria Kurti, vaksinat, nismën për konfiskimin e pasurisë dhe rolin e opozitës.

Kosova, pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”

Kosova për herë të parë është pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”, ndërsa FSK është e përfshirë me 330 pjesëtar.

“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë.

Me këtë rast, ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s.

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

Ministri i  Mbrojtjes Armend Mehaj, i shoqëruar edhe nga Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë folur për stërvitjen ushtarake “DEFENDER – Europe 21”  dhe rolin e Kosovës në këtë ngjarje.

Mehaj në fjalën e tij  paraqiti  rëndësinë e këtij ushtrimi për FSK-në dhe Kosovën, duke theksuar faktin se  bashkëveprimi i FSK-së në një ushtrim të përmasave të tilla me ushtrinë e SHBA-ve aletit tonë kryesor strategjik dhe vendeve tjera aleate, është një ngjarje shumë e rëndësishme.

Kosnett: Administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht, por kjo s’mund të jetë skica e vetme për dialog

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se janë të përkushtuar të mbështesin procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Kosnett ka thënë se administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka shqyrtuar me kujdes punën e bërë nga administrata amerikane paraprake, dhe ka ardhur në përfundim se në to ka shumë pjesë të vlefshme.

I pyetur se a është marrëveshja e Washington-it bazë për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Kosnett ka theksuar se administrata e Biden-it e ka përqafuar marrëveshjen.

“Administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht. Por kjo nuk do të thotë që kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë takohen nën patronazhin e BE-së, për të vazhduar përpara, ajo është skica e vetme për të biseduar…Ke elemente politikë që nuk janë diskutuar në atë marrëveshje”, kishte deklaruar për RTV 21, Kosnett.

Në Kosovë arrijnë 4,680 dozat e para të vaksinës Pfizer

Javën që lamë pas kanë arritur në Kosovë 4,680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer, pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian dhe Austria do t’i sjellë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Austrisë në Kosovë përmes një njoftimi për media.

“Ambasada Austriake në Prishtinë është shumë e gëzuar, që sot ka arritur në Prishtinë sasia e parë e 95.000 dozave të vaksinës BionTech/Pfizer, të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4.680 dozat që kanë arrit sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do kontribuoj në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”, njofton ambasada e Austrisë, përcjell Telegrafi.

Furnizimi i Kosovës me 95,000 vaksina BioNTech/Pfizer është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të BE dhe Austrisë për të siguruar 651,000 doza BioNTech/Pfizer për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara.

Austria ka lehtësuar dhe para-financuar transferimin e këtyre vaksinave, të cilat financohen nga paketa prej 70 milion €, e miratuar nga Komisioni Evropian për të financuar vaksinat në fjalë.

Këto vaksina u siguruan për partnerët e Ballkanit perëndimor në kuadër të negociatave paraprake të BE-së për furnizim me vaksina.

Pas arritjes së vaksinës po vazhdon vaksinimi i profesionistëve shëndetësor në Kosovë.

Sharje, kërcënime e tentim për përleshje fizike – gjithçka që ndodhi në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës

Akuzat e kundër akuzat nuk ishin të vetmet që pamë e dëgjuam gjatë seancës së të enjtes në Kuvendin e Kosovës e gjithçka duket se doli jashtë kontrollit me sharje, fyerje e kërcënime, ndërsa pati tentim edhe për përleshje fizike.

“Krytë ta heki”, u dëgjua t’i thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, në seancën kur supozohej se do të diskutohej në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19 dhe të bëhej shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Fjalimi i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila iu drejtua deputetëve të PDK-së se janë vet fajtor për formimin e Gjykatës Speciale, nxiti reagimin e ashpër të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ky i fundit, kërkoi shkarkimin e ministres Gërvalla, teksa e tha se ajo është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.

Pas këtyre akuzave, fjalën e mori deputeti i LDK-së, Arben Gashi i cili iu ankua nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevcit se ministrave po ua mundëson të flasin më shumë sesa deputetëve, e që sipas tij kjo ishte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e së enjtes kishte vazhduar pas dy ndërprerjeve pa prezencën e opozitës.

Shefi i BE-së në Kosovë flet për pritjet nga Qeveria Kurti, vaksinat, nismën për konfiskimin e pasurisë dhe rolin e opozitës

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shef i zyrës, ambasadori Tomáš Szunyog ka folur për pritjet që BE-ja ka nga Qeveria e Kosovës pas krijimit të saj.

Shefi i BE-së në Kosovë Tomáš Szunyog, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur edhe për reformat që duhet t’i bëjë Kosova, për vaksinat anti-Covid dhe ndihmën nga ky institucion.

Szunyog ka folur edhe për nismën e qeverisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për rolin e opozitës dhe pritjet që i ka BE-ja nga institucionet por edhe për reformat që duhet të ndodhin në administratë, arsim e fusha të tjera të rëndësishme.

Për më shumë lexoni intervistën e plotë.

Qeveria merr vendim: Ndalohet hyrja e personave që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut

Qeveria e Kosovës një ditë më parë ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut për shkak të variantit të ri të virusit në ato shtete.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ky vendim duhet të merret për shkak të rrezikut të variantit të ri indian.

Gjithashtu, Vitia tha se shtetasit e Kosovës që vijnë nga këto shtete duhet të karantinohen dhe të testohen dy herë në javë.

Ky vendim nuk vlen për shtetasit kosovarë të cilët kalojnë transit në këto shtete.

Qeveria Kurti miraton programin qeverisës

Kabineti qeveritar po të premten ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021-2025. Ministri Goran Rakiq ishte i vetmi që ka abstenuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se menjëherë pas diskutimit të programit qeverisës, i njëjti do të lekturohet dhe të plotësohet me disa pjesë në gjuhën serbe. Ai para kabinetit qeveritar ka përmendur dy prioritet e qeverisë së udhëhequr nga ai.

“Qeveria thekson të fokusohet në dy prioritete më urgjente. Menaxhimi i pandemisë i shkaktuar nga COVID-19 dhe lehtësimi i pasojave ekonomike. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i vaksinave. Jemi duke punuar që deri në fund të vitit të sigurojmë imunizimin e 60 për qind të popullatës. Zotimet tona për krijimin e bankës zhvillimore dhe fondit sovran do të bëhet gjatë mandatit tonë. Ne do të aplikojmë me kërkesën për Bashkim Evropian. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme. Do të rishikojmë skemat e asistencës”, tha Kurti.

Ai është zotuar se do të përmbyllin sistemin informativ shëndetësor dhe reformën e administratës publike. Ndërsa, Trepçën do e shndërrojnë në ndërmarrje fitimprurëse.

“Deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do të aplikojmë dhe anëtarësohemi në kartën e Adriatikut. Do të bëjmë dialog të barabartë me marrëveshje reciproke. Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë me Shqipërinë, do të përgatisim padinë për Serbinë në Gjykatë Ndërkombëtare. Do të bëjmë mbikëqyrje demokratike të FSK-së”, ka deklaruar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar projektligjin për Agjencinë për Konfiskimin e Pasurisë, meqë siç tha ajo janë shfaqur disa pengesa.

E ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq ka deklaruar se nuk e voton programin meqë nuk e ka pranuar me kohë materialin. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Prishtina vërshohet nga shiu i furishëm

Prishtina vërshohet nga shiu i furishëm

Komunat
Vrasje e dyfishtë në Shkup, një person dyshohet se vrau vëllain dhe bashkëshorten e tij

Vrasje e dyfishtë në Shkup, një person dyshohet se vrau vëllain dhe bashkëshorten e tij

Kronikë e Zezë
Si dhe kush i sulmoi ueb-faqet qeveritare të Kosovës?

Si dhe kush i sulmoi ueb-faqet qeveritare të Kosovës?

Siguri
Gjendet e vdekur një pjesëtare e Policisë së Kosovës në Gjilan, dyshohet për vetëvrasje

Gjendet e vdekur një pjesëtare e Policisë së Kosovës në Gjilan, dyshohet për vetëvrasje

Kronika e Zezë
Mbi 500 toptha të farave të drunjve hidhen nga ajri përmes dronit në majën e Butocit në Prishtinë

Mbi 500 toptha të farave të drunjve hidhen nga ajri përmes dronit në majën e Butocit në Prishtinë

Lajme
Ndjehen lëkundje toke në Kosovë

Ndjehen lëkundje toke në Kosovë

Lajme
Kalo në kategori