Zhvillimet e fundit lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës kanë nxjerrë në pah përplasjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), veçanërisht pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie për të mos e mbështetur kandidatin e dakorduar, Bekim Sejdiu.

Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje jo vetëm për unitetin e LDK-së, por edhe për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si dhe për mundësinë që vendi të përballet sërish me krizë institucionale.


Analistja politike Donika Emini dhe politologu Melazim Koci, në prononcime për Telegrafin, kanë analizuar zhvillimet e fundit, duke folur për përplasjet brenda LDK-së, marrëveshjen me LVV-në, mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe rrezikun e një krize të re kushtetuese.

Emini vlerëson se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së nuk mund të shihet si shkaku kryesor i krizës brenda kësaj partie. Sipas saj, ky qëndrim vetëm ka bërë më të dukshme përçarjet që kanë ekzistuar edhe më herët.

“LDK-ja është tashmë në një krizë të thellë të brendshme dhe vendimi i gjashtë deputetëve për të mos e mbështetur Bekim Sejdiun duhet parë si manifestim i kësaj krize, e jo si shkaku i saj. Përplasjet, rivalitetet dhe ndarjet brenda LDK-së nuk kanë filluar me negociatat për presidentin. Ajo që ka ndryshuar është se këto përçarje tashmë janë bërë publike dhe deputetët e LDK-së po targetohen drejtpërdrejt nga Abdixhiku, në një mënyrë shumë të ashpër, duke sugjeruar edhe dorëzimin e mandatit dhe presionit public me qëllim të degradimit profesional dhe personal”, ka deklaruar Emini për Telegrafin.

Sipas saj, një tjetër problem është mënyra se si është zhvendosur debati politik brenda LDK-së. Emini thotë se në vend që të diskutohet për të ardhmen dhe identitetin politik të partisë, vëmendja është përqendruar kryesisht në raportet me partitë e tjera.

“Në fakt, ajo që më shqetëson më shumë është mënyra se si po artikulohet sot debati brenda LDK-së. Në vend që të kemi një debat për zhvillimin strategjik të partisë, për identitetin e saj politik apo për mënyrën se si ajo e sheh veten në skenën politike të Kosovës, debati po reduktohet kryesisht në pyetjen se me kë duhet të rreshtohet LDK-ja – me PDK-në apo me LVV-në. Kjo është shenjë e një dobësie të madhe të lidershipit të saj dhe po ushqehet si narrativë nga vetë kryetari i kësaj partie”, është shprehur ajo.

Emini thekson se gjashtë deputetët janë bërë shënjestër e një problemi shumë më të gjerë brenda LDK-së. Ajo pranon se edhe deputetët kanë përgjegjësi për qëndrimin e tyre, por sipas saj, përgjegjësia nuk mund të bartet vetëm tek ta.

“Në këtë situatë, gjashtë deputetët janë shndërruar në një lloj shënjestre të lehtë për një krizë që është shumë më e gjerë. Sigurisht që edhe ata mbajnë përgjegjësi për pozicionin që kanë marrë, por nuk mund të pretendohet se problemi i LDK-së është vetëm se gjashtë deputetë nuk po e mbështesin kandidatin e dakorduar. Udhëheqja e LDK-së, dhe në veçanti Abdixhiku, mban përgjegjësi shumë më të madhe për mënyrën se si është menaxhuar ky proces dhe për faktin që nuk është arritur një konsensus i brendshëm”, ka theksuar Emini.

Megjithatë, ajo nuk konsideron se LDK-ja domosdoshmërisht është duke shkuar drejt një ndarjeje formale. Sipas saj, ajo që tashmë është evidente është përplasja e brendshme dhe sfidimi i autoritetit të lidershipit aktual.

“Prandaj, nuk do të thosha domosdoshmërisht se LDK-ja po shkon drejt një ndarjeje formale. Por ajo po përballet me një konflikt të brendshëm që është bërë shumë më i dukshëm dhe që po e vë seriozisht në pikëpyetje autoritetin e lidershipit aktual”, ka thënë Emini për Telegrafin.

Duke folur për marrëveshjen mes LDK-së dhe LVV-së, Emini ka vlerësuar se zhvillimet e fundit e kanë vënë atë në një pozitë të vështirë. Sipas saj, nëse nuk sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, marrëveshja nuk mund të funksionojë në formën në të cilën është prezantuar.

“Marrëveshja është seriozisht e sfiduar, sepse nëse nuk sigurohen votat për presidentin, ajo nuk mund të funksionojë në formën në të cilën është prezantuar. Nëse për të siguruar shumicën duhet të kërkohet mbështetja e AAK-së apo PDK-së, atëherë kemi një konfigurim krejtësisht tjetër politik”, deklaroi Emini.

Ajo ka theksuar se situata nuk duhet parë vetëm përmes kandidaturës së Bekim Sejdiut apo qëndrimit të gjashtë deputetëve, pasi sipas saj, zhvillimet kanë nxjerrë në pah një paqartësi më të thellë politike brenda LDK-së.

“Problemi në fazën aktuale nuk është vetëm Bekim Sejdiu dhe as vetëm gjashtë deputetët. Problemi është se kjo krizë po ekspozon një paqartësi më të thellë të LDK-së: çfarë partie dëshiron të jetë dhe mbi çfarë vizioni politik kërkon të ndërtojë pozicionin e saj. Dhe nëse kjo nuk zgjidhet, marrëveshja me LVV-në mbetet e brishtë, pavarësisht se çfarë ndodh me votimin e presidentit”, shtoi ajo.

Në lidhje me mundësinë që dështimi i zgjedhjes së presidentit ta çojë vendin në zgjedhje të reja, Emini ka vlerësuar se një skenar i tillë nuk duhet konsideruar ende si i pashmangshëm.

Ajo pret që fillimisht të ketë përpjekje të reja për kompromis politik, pasi partitë do të bëjnë kalkulimet e tyre para se vendi të shkojë drejt një procesi të ri zgjedhor.

“Nëse nuk sigurohen votat për presidentin, sigurisht që Kosova hyn sërish në një krizë dhe paqartësi të madhe institucionale. Por nuk mendoj se mund të themi që nga tani se kjo do të përfundojë automatikisht me zgjedhje të reja. Para se të arrijmë aty, do të ketë kalkulime dhe përpjekje për të gjetur një kompromis, sepse për aktorët politikë kjo nuk është thjesht çështje parimore, por edhe çështje interesi elektoral”, tha Emini.

Ajo ka komentuar edhe mënyrën se si kryeministri Albin Kurti po e menaxhon situatën pas marrëveshjes së arritur me LDK-në.

“Ajo që është interesante është mënyra se si Albin Kurti po e menaxhon këtë situatë. Pas këtij episodi, VV konsiderohet si pala që ka bërë kompromis për të zgjidhur krizën – edhe duke hequr dorë nga pozita e presidentit, ndërsa përgjegjësinë për bllokadën po e zhvendos te gjashtë deputetët e LDK-së. Në këtë kuptim, Kurti dhe Abdixhiku, edhe pse për arsye të ndryshme, po e drejtojnë vëmendjen te të njëjtët gjashtë deputetë. Kjo i shërben Kurtit politikisht, sepse e largon vëmendjen nga vetë marrëveshja dhe e vendos problemin te refuzimi i një pjese të LDK-së”, është shprehur Emini.

Sipas saj, nëse në proces përfshihen PDK-ja apo AAK-ja, atëherë nuk do të bëhej fjalë më për zbatimin e marrëveshjes aktuale, por për një konfigurim të ri politik.

“Nëse për zgjedhjen e presidentit duhet të përfshihet AAK-ja apo PDK-ja, atëherë kemi të bëjmë me një marrëveshje të re dhe me një konfigurim të ri politik. Për momentin, sidomos PDK-ja ka arsye të presë dhe të shohë se si do të zhvillohet situate në Hagë, në vend që të angazhohet menjëherë në një marrëveshje me Kurtin. Kurse AAK është jashtë procesit të negocimit”, thotë Emini.

Ajo ka shtuar se zgjedhjet mbeten një mundësi reale nëse palët nuk arrijnë të gjejnë një kompromis politik.

“Prandaj, zgjedhjet janë një mundësi reale, por jo ende një përfundim i pashmangshëm. Çështja kryesore është nëse do të krijohet një situatë e re politike që i shtyn palët të bëjnë kompromis. Nëse jo,atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme, mirëpo kësaj here do të ndodhin në situatë të paqartë kushtetuese dhe mund të kenë efekt detrimental në funksionimin e shtetit”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, politologu Melazim Koci e sheh më komplekse çështjen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Sipas tij, për të kuptuar situatën aktuale duhet të analizohet edhe mënyra se si është zhvilluar procesi i negociimit për kandidaturën presidenciale.

“Refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos mbështetur Bekim Sejdiun është çështje pak më komplekse se deklarimi pro ose kontra qëndrimit të tyre. Shtrohet pyetja nëse kishte mundësi të tjera të trajtimit të kësaj çështjeje. Zoti Abdixhiku kishte autorizimin për të negociuar këtë çështje me zotin Kurti, por mendoj se do të kishte qenë më produktive nëse paraprakisht do të siguronte konsensus me 18 deputetët e LDK-së për 3 - 4 emra që do t’i ofroheshin Vetëvendosjes”, ka deklaruar Koci për Telegrafin.

Sipas tij, Abdixhiku ka ndjekur një rrugë tjetër, duke zhvilluar negociatat me Kurtin pa marrë paraprakisht një konsensus të gjerë brenda grupit parlamentar të LDK-së.

“Konferenca për shtyp për arritjen e marrëveshjes rreth kandidaturës presidenciale të z. Sejdiu ishte e ngutshme. Pas marrëveshjes duhej shkuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së ose të takohej me grupin parlamentar të LDK-së dhe të merrej pëlqimi i tyre. Kështu u duk thuajse i vuri para aktit të kryer - "votoni këtë kandidat ose merrni përgjegjësinë për dështimin e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe dërgimit të vendit në zgjedhje tjera. Nga kjo situatë e krijuar të humbur dalin Kosova dhe LDK. Kjo parti pas zhvillimeve të fundit rrezikon të ndahet në dysh dhe të margjinalizohet në skenën politike të Kosovës", tha Koci.

Koci ka paralajmëruar se kriza mund të jetë më e thellë dhe se, pavarësisht nëse presidenti arrin të zgjidhet apo jo, Kosova tashmë ndodhet përballë një situate të rëndë politike dhe institucionale.

“Pavarësisht nëse zgjidhet ose jo presidenti (gjasat janë minimale) Kosova është në krizë të thellë politike. Edhe nëse presidenti zgjidhet, ka rrezik që një lëndë eventuale e dërguar në Gjykatën Kushtetuese ta shpallë konstituimin e Parlamentit, Qeverinë dhe Presidentin në një proces që nuk ka qenë kushtetues. Afati i konstituimit të Parlamentit ka skaduar në javën e parë të gushtit, sepse aktgjykimi i GJK nga viti 2025 ka qenë shumë i qartë: nga dita e certifikimit të rezultateve, procesi fillon dhe mbaron brenda 30 ditësh”, thekson Koci.

Si një nga rrugët e mundshme për të dalë nga kjo situatë, Koci ka propozuar krijimin e një qeverie teknike ose tranzicionale, e cila do të kishte mandat të kufizuar dhe do të synonte zgjidhjen e krizës institucionale.

“Kosovën nga një kaos potencial politik dhe kushtetues mund ta nxjerrë ndoshta një qeveri teknike/tranzicionale me mandat njëvjeçar që do të përbëhej mbi bazën e mandateve në Parlament. Ajo qeveri do të zgjidhte presidentin në një marrëveshje të madhe të të gjitha partive dhe do të bënte urgjentisht amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të eliminonte vakumet juridike dhe do të vendoste që presidenti të zgjidhej me votë të drejtpërdrejtë të popullit. Kuorumi nuk është problem, sepse ka funksionin e ruajtjes së balancave të pushteteve, por demokracia jonë e re nuk është treguar e pjekur për ta përballuar këtë sfidë. Kësaj i kanë kontribuar polarizimi i thellë, mungesa e kompromisit dhe niveli jo i duhur i kulturës politike në Kosovë”, u shpreh ai.

Në fund, Koci ka vlerësuar se situata aktuale nuk ofron ndonjë zgjidhje ideale për Kosovën. Sipas tij, në rrethanat e krijuara, prioritet duhet të jetë gjetja e një rruge që do të shmangte përkeqësimin e mëtejshëm të situatës politike dhe institucionale.

“Para Kosovës nuk ka zgjidhje të mira. Për të evituar përkeqësimin e gjendjes dhe rënien në kolaps institucional, duhet zgjidhje që nuk është ideale, por më pak e dëmshme”, ka deklaruar Koci. /Telegrafi/