LAJMI I FUNDIT:

Fruthi në Shqipëri, Haxhi: 30-50 fëmijë të prekur në Tiranë e Durrës – si të kuptoni që nuk është grip?

Fruthi në Shqipëri, Haxhi: 30-50 fëmijë të prekur në Tiranë e Durrës –  si të kuptoni që nuk është grip?

Rreth 30 deri në 50 fëmijë janë prekur nga fruthi në Shqipëri. Doktoreshë Greta Haxhi e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” u bëri thirrje prindërve që të mos neglizhojnë vaksinimin e fëmijëve, pasi fruthi mund të rrezikojë edhe jetën në rast të komplikacioneve të rënda.

Haxhi sqaroi tri fazat klinike të fruthit dhe mënyrën se si sëmundja manifestohet në trup.


“Fruthi është një sëmundje infektive, ngjitëse, akute, e cila prek kryesisht fëmijët dhe karakterizohet nga disa shenja, si: kollë, temperaturës shumë të lehtë fillimisht dhe më pas të lartë, me njolla të koplikut.

Në Shqipëri ka të prekur. OBSH thotë rreth 33 mijë fëmijë në të gjithë botën, aktualisht në Shqipëri janë rreth 30-50 fëmijë të prekur dhe në Tiranë e Durrës janë kryesisht më të prekur.

Fruthi ndahet në 3 faza: prodromale, ekzantematike dhe faza e kovaleshencës.

Këto janë tre fazat e mëdha klinike. Faza e parë, fillon si grip i lehtë, me pak rrufë, me pak tështima, me sekrecione të ujshme, me një temperaturë që mund të jetë 37.5-38 dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës është e mirë.

Ditën e tretë –të katërt, temperatura arrin vlera shumë të larta që shkon 39-40.

Fëmija fillon të ketë lodhje, këputje, fillon të manifestohet kolla e fortë, mbytëse e në gojë i manifestohen njolla, shenja të kuqe me një qendër të bardhë në pjesën e brendshme të gojës, para dhëmballëve. Në fund të javës së parë, shfaqet ekzantema. Shenjat janë në ngjyrë vishnje, nga fytyra më pas në trup. Kanë ishuj në lëkurë të shëndoshë mes tyre, temperatura vijon 39-40 dhe zgjat 6-7 ditë. Me daljen e puçrave fillon ulja e temperaturës.

Por është dhe faza që mund të nisë të japë komplikacione. Më pas është faza e tretë, që pothuajse jemi të shëruar nëse në fazën e dytë nuk janë shfaqur komplikacione,” u shpreh Haxhi.

Doktoresha theksoi se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe transmetimi bëhet në rrugë ajrore.

“Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse. Transmetimi bëhet në rrugë ajrore, tështima.

Nëse fëmija është i grupmoshës 12-15 muajsh duhet bërë doza e parë e vaksinës së fruthit. Fruthi është i bahskëngjitur me dy vaksina të tjera,” sqaroi ajo./RTSH