Frizura të hijshme që ju rregullojnë edhe ditën më të keqe: Moderne dhe glamuroze për vetëm 5 minuta

Frizura të thjeshta që bëhen për pak minuta dhe ju japin pamje të rregullt edhe në ditët më të ngarkuara
Nuk keni nevojë për tharje të gjatë të flokëve, produkte të shumta stilimi apo qëndrime të gjata para pasqyrës, sepse ekzistojnë disa frizura dhe truke që mund t’i bëni për vetëm pak minuta. Të përsosura për ditët kur jeni me nxitim, por dëshironi të dukeni të kuruara dhe elegante.
Ndonjëherë mëngjesi nis me rrëmujë: alarmi nuk bie me kohë, kafeja pihet me nxitim dhe flokët nuk kanë asnjë formë. Në vend që të stresoheni apo të lani flokët me ngut, mund ta ngrini nivelin e paraqitjes me shumë pak mund.
Stilistët e flokëve dhe ekspertët e bukurisë vitet e fundit e përkrahin qasjen praktike të frizurave të shpejta, ato që nuk kërkojnë shumë kohë, por duken natyrale dhe të përshtatshme për çdo ditë: për në punë, në qytet, në palestër apo për një kafe me shoqet. Pasi të mësoheni me disa prej këtyre zakoneve të shpejta, mëngjeset bëhen më të lehta, flokët më të shëndetshëm dhe stili më i qëndrueshëm, transmeton Telegrafi.
Gjysmë topuzi
Mblidhni pjesën e sipërme të flokëve, përdridhini lehtë dhe fiksojeni me një llastik ose kapëse. Lini dy-tre fijëza pranë fytyrës për ta zbutur pamjen. Mund të spërkatni rrënjët me shampo të thatë që të merrni më shumë volum. Kjo frizurë është e lehtë dhe fsheh shumë mirë flokët që nuk janë larë atë ditë.
Topuz i ulët, pak i shpërfillur
Mblidhni flokët pas kokës, formoni një topuz të thjeshtë dhe fiksojeni me kapëse. Lini disa fijëza të holla pranë fytyrës për të zbutur vijat e forta. Kjo pamje është e rregullt dhe shumë praktike si për zyrë, ashtu edhe për mbrëmje.
Flokët gjysmë të ngritura
Ndajeni pjesën e sipërme të flokëve, ngriteni lehtë dhe fiksojeni me një kapëse apo llastik. Mund të ngrini pak rrënjët ose të ktheni majat për më shumë volumen dhe butësi. Pjesa tjetër e flokëve le të bjerë lirshëm për një pamje natyrale.
Bishti anash me gërshet të hollë
Hidhini flokët në njërën anë dhe mblidhini në një bisht të ulët. Merrni një fijëz nga vetë bishti dhe bëjeni një gërshet të hollë. Mund ta mbështillni rreth llastikut për një pamje më të punuar, ose ta lini të bjerë lirshëm mbi bisht. Kjo frizurë është e rregullt, e thjeshtë dhe ideale për gjatë ditës. /Telegrafi/







































