Frizura që e duan yjet: ngre fytyrën dhe fsheh vitet pa ndërhyrje

A mund ta zëvendësojë një frizurë ndërhyrjen estetike? Ylli më i ri i botës së bukurisë, e ashtuquajtura “blefaroplastikë me topuz”, ka pushtuar tashmë tapetin e kuq dhe rrjetet sociale, duke premtuar efekt të menjëhershëm rinor
Kush do ta mendonte se flokët mund të veprojnë si një “face-lift” natyral? Në një kohë kur të gjithë kërkojmë truke të shpejta, por efektive, “bleph bun”, ose topuzi blefaroplastik, po bëhet trendi më i nxehtë i momentit.
Bëhet fjalë për një topuz të lëmuar ose bisht të lartë, me flokët e kapur fort drejt lart, që vizualisht ngre sytë, thekson mollëzat dhe i jep fytyrës një pamje më të freskët dhe më të re. Ndërsa kirurgjia ofron rezultate të përhershme, kjo frizurë krijon një iluzion të ngjashëm, por pa gjilpëra dhe bisturi.

Të famshmet e kanë bërë të vetën
Kjo frizurë është shndërruar tashmë në shenjë dalluese të yjeve si Ariana Grande dhe Hailey Bieber, që e mbajnë shpesh në evente glamuroze. Sekreti i suksesit qëndron në thjeshtësi: mjafton të keni flokë me gjatësi mesatare, një krehër, pak xhel ose sprej për fiksim dhe dëshirën për t’i mbledhur fort, deri te fijet e fundit.
Rezultati? Një pamje sofistikuar, glamuroze dhe jashtëzakonisht tërheqëse. Shumë gra pranojnë se pasi e provojnë njëherë, është e vështirë të heqin dorë nga mënyra se si kjo frizurë e rifreskon fytyrën, transmeton Telegrafi.

Pse funksionon ky efekt “lifting”
Sekreti estetik qëndron në tërheqjen mekanike të lëkurës. Kur flokët kapen fort drejt lart, lëkura e fytyrës tërhiqet lehtë, duke reduktuar rrudhat rreth syve dhe pamjen e lodhur. Përveç kësaj, vetë frizura reflekton dritën dhe krijon ndjesinë e pastërtisë dhe kujdesit.
Nuk është çudi që rrjetet sociale janë mbushur me video-tutoriale, ndërsa parukierët në mbarë botën e konsiderojnë këtë stil si një “kartë të fshehtë” për një pamje rinore e tërheqëse.

Ana e errët e trendit
Si çdo modë nga faqet e revistave, edhe kjo frizurë ka anën e saj të rrezikshme. Ekspertët paralajmërojnë se tërheqja e shpeshtë dhe e fortë e flokëve mund të shkaktojë alopeci traksionale, rënie të flokëve përgjatë vijës së ballit dhe të përkohshmeve. Gjithashtu, përdorimi i shpeshtë mund të sjellë dhimbje koke, tension të lëkurës dhe thyerje të fijes së flokut.
Pra, edhe pse kjo frizurë mund ta “ngrejë” fytyrën në çast, në afat të gjatë mund ta dobësojë flokun nëse praktikohet çdo ditë. Prandaj, stilistët këshillojnë që topuzi blefaroplastik të ruhet për raste të veçanta, ndërsa në përditshmëri flokëve t’u jepet pushim me maska ushqyese dhe stile më të buta. /Telegrafi/


















































