Ngjyra e flokëve mes kafesë, bakrit dhe gështenjës që pritet të dominojë këtë vjeshtë

E ngrohtë, me shkëlqim dhe më e lehtë për t’u mirëmbajtur, kjo nuancë u jep flokëve thellësi dhe dimension pa kaluar në të kuqe të theksuar
Vjeshta tradicionalisht sjell ngjyra më të ngrohta, më të thella dhe më të pasura, si në modë e dizajn, ashtu edhe në botën e bukurisë. Ndërsa në manikyr rikthehen nuancat bordo, kafe dhe e kuqe e errët, ndërsa në grim përdoren më shumë tonet e kafesë, ndryshimet po shihen edhe te flokët.
Pas disa sezonesh ku dominuan variante të ndryshme të bakrit dhe “cowboy copper”, këtë vjeshtë në fokus po vjen një nuancë më e butë: burnt amber. Bëhet fjalë për një ngjyrë të ngrohtë, të pasur dhe me shumë shkëlqim, diku mes kafesë së thellë, bakrit dhe gështenjës së artë.
Kjo nuancë tërhoqi vëmendje edhe pasi u pa te Hailey Bieber, ndërsa e përdor edhe aktorja Sadie Sink.
Çfarë është në të vërtetë burnt amber?
Ndryshe nga bakri klasik, burnt amber nuk ka një nënton shumë portokalli. Baza zakonisht është kafe e errët ose gështenjë, mbi të cilën ndërthuren tone të ngrohta bakri, mjalti dhe kafe të artë.
Rezultati është një ngjyrë që në ambient të mbyllur mund të duket si një kafe e pasur, ndërsa në dritën e ditës merr më shumë shkëlqim dhe ngrohtësi.
Bukuria e saj qëndron pikërisht në mënyrën se si ndryshon sipas dritës dhe lëvizjes së flokëve. Kjo e bën flokun të duket më i shëndetshëm, me më shumë dimension dhe shkëlqim.
Nuanca shkon veçanërisht mirë me prerjet me shtresa, valët e buta dhe fen-frizurat me volum, transmeton Telegrafi.
Fije të ngrohta për një ndryshim më të lehtë
Nëse nuk dëshironi një ndryshim të plotë të ngjyrës, mund të provoni burnt amber highlights, pra fije të ngrohta në nuanca qelibari.
Ato duken veçanërisht bukur mbi një bazë kafe ose bionde të errët dhe mund të realizohen me teknikën balayage, sidomos rreth fytyrës dhe përgjatë gjatësisë së flokëve.
Ideja është të krijohen kalime të buta në tone karamel, ari dhe bakri, pa kontraste të forta dhe pa një vijë të dukshme të rritjes së flokëve.
Ky është një opsion i mirë sidomos për brunet që duan ta freskojnë ngjyrën pa kaluar plotësisht në bakër ose të kuqe.
Më e lehtë për mirëmbajtje
Pigmentet e kuqe, bakri dhe qelibari zakonisht shpëlahen më shpejt se tonet neutrale kafe.
Për ta ruajtur ngjyrën të pasur dhe me shkëlqim, mund të ndihmojnë gloss-et ose maskat me pigment, si dhe larja me ujë jo shumë të nxehtë.
Megjithatë, falë bazës kafe, burnt amber është zakonisht më e lehtë për mirëmbajtje se bakri i theksuar. Rritja e flokëve duket më natyrale, kalimet janë më të buta dhe, nëse zgjidhni vetëm disa fije, mirëmbajtja bëhet edhe më e thjeshtë. /Telegrafi/


































