Kompania Google vazhdon të mbledhë një sasi të madhe të dhënash nga termostatët Nest.

Google në mënyrë zyrtare ka hequr mbështetjen për kontrollin e largët të dy gjeneratave të para të Nest Learning termostatëve, por një hetim i ri zbulon se këta pajisje ende dërgojnë informacione te Google, edhe pse përdoruesit nuk kanë më qasje dhe nuk mund të ndërhyjnë përmes aplikacionit.


Sipas raportit nga The Verge, studiuesi i sigurisë Cody Kociemba, në kuadër të projektit No Longer Evil, ka zbuluar se termostatët vazhdojnë të raportojnë Google-it informacione të tilla si ndryshimet manuale të temperaturës, lëvizjen dhe prania në dhomë, dritën ambientale dhe lagështinë e ajrit.

Kjo ndodh pavarësisht se Google ka eliminuar funksione kyçe, si kontrollin e largët dhe përditësimet softuerike, duke argumentuar që pajisjet janë të vjetruara.

Kociemba thotë se tani lidhja është “njëkahëshe”: Google merr të dhënat, ndërsa përdoruesi nuk mund më të qaset në to apo të kontrollojë termostatin përmes aplikacionit.

Google ka thënë se të dhënat përdoren për diagnostikim dhe zgjidhje problemi, por tani që mbështetja zyrtare nuk ekziston më, lind pyetja pse po mblidhen ende ato informacione.

Për zbulimin, Kociemba dhe ekipi i tij “Team Dinosaur” u shpërblyen me 14.772 dollarë, si pjesë e një programi që mbështet kërkimin mbi mospërputhjen e privatësisë në pajisjet digjitale.

Derisa artikulli të publikohet, Google nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve. /Telegrafi/