Barcelona pa t’i përsëritej skenari i dhimbshëm i Romës dhe Kostas Manolas, pikërisht kur ishte pranë finales së Ligës së Kampionëve. Sërish në Itali, sërish një mbrojtës. Interi fitoi 4-3 ndaj katalanasve në një sfidë epike, me golin vendimtar të Davide Frattesi, por heroi i mbrëmjes ishte një tjetër: Francesco Acerbi.

Qendërmbrojtësi veteran italian, 37 vjeç, realizoi golin që i çoi skuadrat në vazhdime. Ai u ngjit në sulm kur Interi ishte në disavantazh 2-3 dhe shënoi kur kronometri tregonte 92 minuta e 42 sekonda lojë. Denzel Dumfries harkoi topin, ndërsa Acerbi arriti ta mposhte Araujon në shtyllën e afërt, duke dërguar topin në cepin e sipërm të portës. Një gol që ndryshoi fatin e takimit.


Pesë gola në 116 ndeshje me Interin, por asnjëri s’kishte ardhur në një moment kaq kritik. Pas golit, Acerbi mori edhe një karton të verdhë për heqjen e fanellës, por ai moment iu duk si një shpërthim i gjithë karrierës.

Historia e Acerbit shkon përtej fushës së gjelbër. Ai ka kaluar dy herë kancerin. Në korrik 2013 iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente pas zbulimit të një tumori në testikuj. U rikthye në fushë, por në fund të vitit, sëmundja e goditi sërish. Ndërkohë, doli pozitiv për gonadotropinën korionike njerëzore (hCG), por kundër-analiza vërtetoi se kjo ishte shkaktuar nga tumori.

Pas rikuperimit, ai u kthye më i fortë se kurrë. Nga tetori i vitit 2015 deri janarin 2019, ai zhvilloi 149 ndeshje radhazi me Sassuolon dhe Lazion, duke iu afruar rekordit të Javier Zanettit në Serie A (162 ndeshje).

acerbi

“I premtova vetes pas sëmundjes se nuk do të pendohesha më. Kanceri ishte fati im. Falënderoj Zotin që e pata. Një ditë fillova të bërtisja, ‘Dil nga trupi im!’, por vazhdova jetën normale. Mbrëmje, pije, dalje deri në 7 të mëngjesit”, e pranoi ai në një intervistë për L’Ultimo Uomo.

Ai rrëfeu se shpesh vinte në stërvitje i dehur, por fiziku i tij i fortë e mbante në nivel. “Pa sëmundjen, do të kisha përfunduar duke luajtur në Serie B, ose do të isha pensionuar. Për fat të mirë, dikush atje lart më deshi dhe ma dërgoi sëmundjen. Pa të, do të kishte përfunduar shumë keq. Askush nuk do të më kishte shpëtuar”.

Për Acerbin, kthimi ishte triumfues. Ai u bë pjesë e kombëtares italiane (34 ndeshje, 1 gol), fitoi Euro 2020, një titull kampion me Interin, një Kupë të Italisë, dy Superkupa dhe ishte titullar në finalen e Ligës së Kampionëve më 2023 ndaj Manchester Cityt.

Dje, ai u bë “hija” që përndjek Barcelonën. Një histori e jashtëzakonshme rikthimi, vullneti dhe force. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app