LAJMI I FUNDIT:

Formimi i Qeverisë Kurti, dorëheqja e Gashit nga strukturat e AAK-së dhe arritja e vaksinave të para antiCOVID – top lajmet e javës së kaluar

Formimi i Qeverisë Kurti, dorëheqja e Gashit nga strukturat e AAK-së dhe arritja e vaksinave të para antiCOVID – top lajmet e javës së kaluar

Javën e kaluar është konstituuar Kuvendi i Kosovës si dhe është votuar qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Po ashtu, javën që lamë pas Kosova mori kontingjentin e parë të vaksinave antiCOVID-19, vendi i fundit në rajon që po e fillon procesin e vaksinimit, në kohën numri i të të infektuarve me coronavirus është shqetësues.


Po gjatë javës së kaluar kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e tij brenda strukturës  së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror.

Pak ditë pas formimit të Qeverisë Kurti, po ashtu u bë e ditur se aktakuza ndaj ministrit Liburn Aliu për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte zyrtar në Komunën e Prishtinës.

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën më 22 mars, me 69 vota për dhe 33 kundër votuan Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit.

Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës votoi kundër, me përjashtim të Xhavit Halitit nga PDK-ja.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet me zgjedhjen e nënkryetarëve.

Para zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar kuvendi, deputetët dhanë këtë betim.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!.

Kuvendi votoi Qeverinë Kurti

Kuvendi i Kosovës po më 22 mars, me 67  vota për dhe 30 vota kundër ka votuar përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Qeveria Kurti 2 është votuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kosovës.

Para se të votohej Qeveria, kryeministri Kurti ka prezantuar në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit qeveritar.

Qeveria Kurti ka 15 ministri, tre zëvendëskryeministra.

Ky është Kabineti Qeveritar:

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi

Ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati

Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukuturës, Liburn Aliu

Ministër i Bujqësisë, Faton Peci

Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në AAK

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi javën e kaluar ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e tij brenda strukturës  së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, ndërsa do të vazhdojë angazhimin e tij si kryetar i Komunës së Obiliqit.

Gashi, përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se dorëheqja e tij vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asamblistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor dhe nga 21 nëndegë, 20 prej tyre iu kanë bashkuar kësaj dorëheqjeje dhe shumë aktivistë me të cilët rrugëtuan së bashku.

Ai ka thënë se dorëheqja vjen edhe si pasojë e “mos realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit, një kërkesë kjo e kamotshme e banorëve si dhe duke pasur për bazë që edhe nevojat e KEK-ut janë të domosdoshme, pavarësisht angazhimit tim të pandalshëm që kjo çështje të realizohet asnjëherë nuk është krijuar një zgjidhje për këtë problem, si dhe, si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve të Obiliqit që angazhimin  tim politikë ta vazhdojë si kryetar i pavarur. Pra, gjithmonë para çdo lloj interesi apo bindjeje në plan të parë kam qytetarin e Obiliqit, andaj për mua besimi i qytetarit është vlerë e shenjtë e cila po dëshmohet përmes vullnetit të përbashkët për të ndërtuar qytetin e Obiliqit”.

Nis procesi gjyqësor ndaj Liburn Aliut – më 6 prill seanca e parë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar 6 prillin si data e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Liburn Aliut, dhe të tjerëve të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Po seanca është caktuar për datën 6 prill në orën 10:00. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të rastit, Alban Ajvazi”, tha ajo.

Ndryshe, para disa ditësh Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda kishte njoftuar se Liburn Aliu, tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishte qenë në dijeni për ngritjen e aktakuzës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën thuhej se “Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se më 23 prill 2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu para disa ditësh kishte mohuar se ndaj tij ekziston një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Arrin në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit

Mbrëmjen e 28 marsit ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit, në kohën kur Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve.

Kosova është vendi i fundit në rajon që e fillon procesin e vaksinimit, ndërsa kontingjenti i parë ka 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Bashkimi Evropian po ashtu ka premtuar se do të sjellë në Kosovë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër coronavirusit.

Kush do vaksinohet në fillim?

Institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë në muajin shkurt kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19.

Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë që pas futjes në përdorim të vaksinës, procesi të realizohet në tri faza.

Faza e parë: Vaksinimi i grupeve më rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtoret shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Numri i përgjithshëm i këtij grupi llogaritet të jetë 54.000 persona apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Sipas këtij plani, kohëzgjatja e fazës se parë do të jetë 20 ditë dhe gjatë të gjitha seancave të vaksinimit do të sigurohet zbatimi i të gjitha masave për parandalimin dhe kontrollin e infektimit.

Vëmendje e veçantë, thuhet në Planin e imunizimit, do t’i kushtohet barazisë në shpërndarjen e vaksinave. Rreth 11.000 doza vaksinash do t’i dedikohen vaksinimit të 5.400 punonjëseve shëndetësorë dhe të moshuarve (10 për qind e popullsisë që vaksinohen në fazën e parë) në dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe. Strategjia e shpërndarjes së vaksinave për këto komuna është e njëjtë me komunat tjera.

Faza e dytë do të përfshijë grupmoshat mes 65-79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, që përbëjnë 306.000 ose 17 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Gjatë fazës se parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës, Kosova do t’i përdorë vaksinat nga programi COVAX, vaksina të cilat Kosova i merr falas.

Faza e tretë, në plan parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Lajme
Kalo në kategori