Forma e shkëlqyer, Albion Rrahmanit i rritet vlera miliona euro

Albion Rrahmani po kalon ndoshta sezonin më të mirë në karrierën e tij, edhe pse është vetëm fillimi i sezonit 2025/26.
Sulmuesi kosovar është në top formë dhe ka shkëlqyer në 15 ndeshjet e para me Sparta Pragën mes kampionatit çek dhe Ligës së Konferencës.
Rrahmani ka qenë i pandalshëm me 8 gola dhe një asistim dhe falë kësaj forme vlera e tij është rritur miliona euro.
Nga pesë milionë euro sa vlente më parë, Rrahmani tani ka vlerën 8 milionë euro në Transfermarkt.

Një progres i jashtëzakonshëm për sulmuesin llapjan, i cili vetëm pesë vite më parë luante në Ligën e Dytë të Kosovës me skuadra si Minatori e KF Bashkimi.
25-vjeçari është në formë të jashtëzakonshme dhe duket se vlera prej 8 milionë eurove nuk do t'i qëndrojë gjatë dhe nëse vazhdon me këtë ritëm deri në fund të sezonit vlera e tij mund të dy ose trefishohet. /Telegrafi/



















































