eksperti-banner

Një nga ikonat më të mëdha të automobilizmit evropian është rikthyer. Modeli i ri Ford Escort Mk1 RS është prezantuar zyrtarisht në Londër, duke shënuar rikthimin e emrit legjendar Escort RS pas më shumë se pesë dekadash. Automjeti është zhvilluar nga kompania britanike Boreham Motorworks me licencë zyrtare të Fordit.

Ndryshe nga restaurimet klasike (restomod), Escort RS i ri është ndërtuar tërësisht nga komponentë të rinj dhe konsiderohet një model vazhdimësie (continuation car). Vetëm 150 njësi do të prodhohen dhe secila do të pajiset me numër shasie zyrtar të Fordit.


Dizajni ruan linjat karakteristike të Escort RS1600 origjinal, por me elemente moderne si dritat LED, përmirësime aerodinamike dhe komponentë të rinj të karrocerisë.

- YouTube www.youtube.com

Blerësit do të kenë në dispozicion dy motorë. Versioni bazë përdor një motor 1.8-litërsh me rreth 185 kuaj/fuqi, ndërsa varianti më i fuqishëm është i pajisur me një motor 2.1-litërsh që zhvillon 296 kuaj fuqi dhe arrin deri në 10.000 rrotullime në minutë. Fuqia transmetohet në rrotat e pasme përmes një kambie manuale, duke ruajtur karakterin tradicional sportiv të modelit.

Inxhinierët kanë vendosur të mos përdorin sisteme moderne si servo drejtimi, ABS apo kontrollin e tërheqjes, me qëllim që makina të ofrojë një përvojë sa më autentike dhe të pastër të drejtimit.

Pavarësisht pamjes klasike, kabina përfshin pajisje moderne si klimatizim, sistem infotainment, materiale premium dhe kafaz sigurie të integruar.

Çmimi fillestar i Escort RS të ri është rreth 341 mijë euro, ndërsa prodhimi do të kufizohet në vetëm 150 ekzemplarë për koleksionistët dhe adhuruesit e modeleve klasike Ford. /Telegrafi/