LAJMI I FUNDIT:

Fondi për të Drejtën Humanitare: Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë – e pavend dhe pa efekt juridik

Fondi për të Drejtën Humanitare: Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë – e pavend dhe pa efekt juridik

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), shpreh pakënaqësinë me rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, e cila është miratuar të enjten nga 79 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Në rend të parë Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë ligjdhënës, duhet të ishte shumë i kujdesshëm në kualifikimet juridike. Përderisa edhe 20 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë ende nuk ka një aktgjykim nga ndonjë gjykatë, ndërkombëtare apo vendore, e cila i cilëson krimet e kryera në Kosovë si gjenocid, atëherë ky term nuk do duhej të përdorej në këtë rezolutë.”


FDH Kosovë rikujton se Tribunali Penal Ndërkombëtare për ish – Jugosllavi në aktgjykimet ndaj 6 zyrtarëve më të lartë të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë ka konstatuar se ata kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, në formë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, por askund nuk e konstaton ekzistimin e gjenocidit.

Sipas FDH-së jo të gjitha krimet e listuara në tekstin e rezolutës janë të mbështetura në prova dhe fakte.

“Para se të nxjerrë një rezolutë të tillë Kuvendi i Kosovës do duhej që të verifikonte në mënyrë të detajuar të gjitha supozimet për krime të listuara në dokument. Nëse rezoluta përmban informata arbitrare atëherë e tërë rezoluta është e diskredituar.”

Më tej thuhet se “rezolutat nuk janë akte ligjërisht të detyrueshme prandaj kjo rezolutë në fakt nuk do të ndikojë në realizimin e të drejtave të viktimave në drejtësi, reparacion apo në gjetjen e së vërtetës. Një rezolutë e tillë mundet që të krijojë vetëm një iluzion tek qytetarët se po punohet në trajtimin e së kaluarës e që më vonë do shndërrohet në zhgënjim. Për më keq, kjo nismë e nxituar dhe e pamenduar mirë, ka ndikuar që deputetja Flora Brovina, në tentim që të merr përkrahje sa më të madhe për këtë rezolutë, ka përdorur pamje vizuale të papërshtatshme për ekspozim publik, e që rezultoi të mos jetë provë për krime në Kosovë. Përdorja e mjeteve vizuale për kauza të ndryshme në Kuvend është e papranueshme.”

Në vend që të parashtrojë kushte për shtetin e Serbisë Kuvendi i Kosovës do duhej që, së bashku me institucionet tjera, të kërkojë vendosjen e një bashkëpunimi me Serbinë në mënyrë që të intensifikohet ndjekja penale e kryerësve të krimeve dhe të konstatohen dhe vërtetohen faktet mbi krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit të kryera në Kosovë”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.