LAJMI I FUNDIT:

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore bëhet anëtare e AECM-së

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore bëhet anëtare e AECM-së

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) bëhet anëtare e Shoqatës Evropiane për Institucionet Garantuese (AECM). Bordi i AECM-së së bashku me Asamblenë Gjenerale zyrtarisht e pranuan kërkesën e FKGK-së për anëtarësim në mbledhjen vjetore të mbajtur më 14 qershor 2018.

AECM është një shoqatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse, me bazë në Bruksel e cila funksionon si një organizatë e hapur, demokratike, e pavarur nga çdo grup politik apo financiar.


Aktualisht ka 47 organizata anëtare që veprojnë në Bashkim Evropian, Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë, Serbi, Rusi dhe Turqi. Anëtarët e saj janë institucione garantuese private, publike apo edhe të kombinuara si dhe banka zhvillimore me divizion specifik për garancione. Të gjithë kanë misionin e përbashkët i cili është të garantojnë kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që kanë një projekt të shëndoshë ekonomikisht, por që nuk mund të sigurojnë kolateral të mjaftueshëm bankar.

Njëkohësisht, AECM shërben si një platformë e shkëmbimit të përvojave më të mira në çështje të ndryshme operacionale,si dhe ofron informata të ndryshme nga hulumtimet që bëhen lidhur me sektorin garantues.

Të gjitha këto do të mundësojnë që FKGK të përfitojë nga anëtarësimi i saj në AECM në saje të shkëmbimit të përvojave me institucione garantuese me përvojë të gjatë gjithnjë me qëllim të arritjes së objektivave të saj si përkrahja e sektorit privat në Kosovë, zgjerimi i qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, krijimi i vendeve të punës, rritja e prodhimit vendor, përmirësimi i bilancit tregtar si dhe avancimi i mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.

Në 2017, bilanci i portfolios së garantuar të anëtarëve të AECM-së ishte mbi 125.6 miliardë euro, ndërsa vlera e garanvioneve të reja ishte mbi 74.2 miliardë euro. /Telegrafi/