LAJMI I FUNDIT:

Fondacioni Biberaj shpall bursën prej 1.1 milion dollarësh për 40 studentë në Institutin Teknologjik të Roçesterit (RIT) – Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë

Fondacioni Biberaj shpall bursën prej 1.1 milion dollarësh për 40 studentë në Institutin Teknologjik të Roçesterit (RIT) – Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë

Fondacioni Biberaj Inc. shpall ndarjen e bursave të reja akademike, në vlerë prej 1 milion e 160 mijë dollarë për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë (RIT Kosovë (A.U.K.)).

Bursa Familja Biberaj, që do të jepet përmes konkurrimit dhe që zgjat për katër vjet, u ofrohet 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare. Tridhjetë e gjashtë (36) bursa do t’u jepen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës dhe katër (4), studentëve që u përkasin grupeve të pakicave në Kosovë. Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, por deri në 75 për qind, të bursave të jenë për studente gra. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.

Ken Biberaj, zëdhënës i Fondacionit Biberaj, theksoi se, “Fondacioni Biberaj e ka për nderë të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi pasur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë”.

Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.

Pas shpalljes së Bursës Familja Biberaj, Dr. Kamal Shahrabi, president i RIT Kosovë (A.U.K.), falënderoi Fondacionin Biberaj duke theksuar se, “jam i lumtur dhe mirënjohës që Fondacioni Biberaj zgjodhi RIT Kosova (A.U.K) si institucionin e preferuar për arsimimin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj. Bujaria e Fondacionit Biberaj do t’u krijojë mundësi 40 të rinjve nga Kosova dhe rajoni të ndjekin studime të standardeve të universiteteve amerikane pranë shtëpisë së tyre dhe me mundësi për të përjetuar përvojën amerikane. Bujaria e Fondacionit Biberaj është një tregues i qartë se Familja Biberaj pret nga të diplomuarit tanë të krijojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe rajonin. Faleminderit për mbështetjen dhe besimin që RIT Kosova (A.U.K) do ta kthejë pasionin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj në një karrierë për ta”.

Në bazë të kërkesave të Bursës Familja Biberaj, çdo student duhet të punojë në një nga muajt e verës, gjatë çdo viti akademik, në shërbim të komunitetit në rajonin e lindjes dhe çdo student duhet të përfundojë programin “Capstone” deri në fund të studimeve katër vjeçare. Po ashtu, çdo student duhet të ndjekë për një semestër, studimet në Shtetet e Bashkuara, në bazë të Programit Global të Studimeve të Institutit të Teknologjisë në Roçester, në kampusin e Nju Jorkut. Për të ruajtur të drejtën e bursës, çdo student duhet të mbajë një mesatare të lartë.

Bursa, e bazuar në mesataren e lartë dhe nevojën financiare, është e vlefshme për këdo që plotëson kushtet e mëposhtme:
– Është me prejardhje shqiptare nga një prej këtyre rajoneve: zonat rurale të Kosovës, Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova dhe Shkupi, ose i përket një prej grupeve të pakicave nga Kosova
– Plotëson formularin e posaçëm të RIT (A.U.K) për këtë program
– Është në gjendje të dëshmojë rezultate të shkëlqyera në mësime dhe arritje të tjera
– Ka marrë pjesë në aktivitete jashtë-shkollore
– Duhet të ketë përfunduar shkollën e mesme në kohën e dhënies së bursës
– Të jetë në gjendje të dëshmojë se ka nevojë financiare
– Të ketë njohuri të kënaqshme të gjuhës së shkruar dhe folur angleze – formulari, procesi i përzgjedhjes dhe intervista, të gjitha zhvillohen në anglisht
– Të jetë i aftë të tregojë njohuri të forta në matematikë

Një njoftim me hollësi të tjera dhe formulari për të aplikuar online për vitin akademik 2021-2022 do të vendoset në këtë adresë: https://kosovo.rit.edu/

Rreth Fondacionit Biberaj Inc.

Fondacioni Biberaj Inc, i themeluar si organizatë jofitimprurëse në vitin 2017 në SHBA, ofron mundësi arsimore për studentë të kualifikuar me origjinë shqiptare, që jetojnë në Ballkan, për të marrë asistencë bursash për studime në programe bachelor dhe master, që çojnë në një diplomë në kolegjet dhe universitet e Shteteve të Bashkuara.

Rreth RIT Kosovë (A.U.K.)

Themeluar në vitin 2002, RIT Kosova (A.U.K) ofron një arsim të jashtëzakonshëm amerikan për studentë nga Kosova dhe bota përmes programeve inovative kurrikulare dhe kërkimore në një kulturë të përqendruar tek studentët. RIT gjithashtu mbështetet nga organizata bamirëse në SHBA – Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë, Inc.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Hypi kerrit e nisu për n’Grand Blue Fafa këtë vikend

Hypi kerrit e nisu për n’Grand Blue Fafa këtë vikend

Fafa Resort
Qysh bohet kerri i vogël, kerr i ri!

Qysh bohet kerri i vogël, kerr i ri!

Auto Mita
Bëhu banor i kryeveprës së Prizrenit - Grand Residence

Bëhu banor i kryeveprës së Prizrenit - Grand Residence

Grand Residence Prizren
Me çka e shijon bukën ma s'shumti edhe pse bash me sugjukun Meka?

Me çka e shijon bukën ma s'shumti edhe pse bash me sugjukun Meka?

MEKA HALAL FOOD
Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi

Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi

Ekonomi
Grupi BALFIN zbulon projektin më të ri në Kanada, një investim prej 40 milionë euro

Grupi BALFIN zbulon projektin më të ri në Kanada, një investim prej 40 milionë euro

Ekonomi
Kalo në kategori