Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka thënë se në Kosovë të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qendrueshëm, inflacioni ka vazhduar rënien, si dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse ka filluar të ngushtohet.

Por gjithashtu FMN-ja ka thënë se tensionet në veri të Kosovës mbeten rreziqe të cilat, sipas tyre nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave.


Kjo është thënë në një komunikatë për media të FMN-së, pas përfundimit të vizitës disa ditore të një ekipi, nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella, Shef i FMN-së për Kosovën.

“Të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qëndrueshëm, ka filluar të rritet zbatimi i programit të investimeve publike dhe rezervat fiskale kanë mbetur në nivele të duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe perspektive të cilat, nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave”,citohohet të ketë thënë Di Bella, transmeton Kallxo.com.

“Në veçanti, zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Përderisa, nëse hiqen në afat të shkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë”.

Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë vizitës, ekipi i FMN-së ka diskuatuar për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe të politikave, si dhe progresin me projektbuxhetin për vitin 2024.

Gjatë kësaj vizite, ekipi i FMN-së mbajti takime me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Ushtruesin e Detyrës së Guvernatorit të BQK-së Nurboja, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, Ministren e Ekonomisë  Artane Rizvanolli dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.

Gjithashtu, ekipi u takua me palët kryesore të interesit në sektorin e energjisë, përfaqësues të sektorit privat, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe partnerë zhvillimorë.