LAJMI I FUNDIT:

FMN pezullon qasjen e Afganistanit në fonde

FMN pezullon qasjen e Afganistanit në fonde

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se Afganistani nuk do të jetë më në gjendje të ketë qasje në burimet e huadhënësit.

Ky veprim vjen pas marrjes nën kontroll të vendit nga talibanët fundjavën e kaluar.

Një zëdhënës i FMN-së tha se kjo ishte për shkak të “mungesës së qartësisë brenda bashkësisë ndërkombëtare” mbi njohjen e një qeverie në Afganistan, përcjell Telegrafi.

Një fond prej mbi 370 milionë dollarësh nga FMN ishte caktuar të mbërrinte më 23 gusht që ishin pjesë e një përgjigje botërore ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Shtetet e Bashkuara bllokojnë asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit, pamundësohet qasja e talibanëve në miliarda dollarë
Lexo po ashtu Shtetet e Bashkuara bllokojnë asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit, pamundësohet qasja e talibanëve në miliarda dollarë

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit në llogaritë amerikane, duke ua pamundësuar talibanëve qasjen në miliarda dollarë.

“Asnjë aset i Bankës Qendrore, që ka Qeveria afgane në Shtetet e Bashkuara, nuk do të jetë i qasshëm për talibanët”, ka thënë administrata amerikane.

Administrata e Joe Biden ka marrë këtë vendim përgjatë fundjavës teksa talibanët kanë pushtuar Kabulin më 15 gusht dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.

Afganistani është një prej vendeve më të varfra në botë dhe varet tejet shumë nga ndihma e huaj, e cila mbulon rreth tri të katërtat e buxhetit shtetëror. /Telegrafi/