LAJMI I FUNDIT:

FMN: Ekonomia e Kosovës pësoi rënie për 6 për qind gjatë pandemisë COVID-19, pritet të rritet 4.5 për qind gjatë vitit 2021

FMN: Ekonomia e Kosovës pësoi rënie për 6 për qind gjatë pandemisë COVID-19, pritet të rritet 4.5 për qind gjatë vitit 2021

Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet për 4.5 për qind për vitin aktual.

Kështu ka deklaruar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi projeksionet e rritjes ekonomike në botë, përcjell Telegrafi.


“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”, tha përmes një deklarate FMN.

Në të gjithë botën, bankat qendrore dhe qeveritë kanë lëshuar triliona dollarë për të luftuar recesionin e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Banka Botërore: Pas vendosjes nën kontroll të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4 për qind
Lexo po ashtu Banka Botërore: Pas vendosjes nën kontroll të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4 për qind

Po ashtu, Banka Botërore në raportin e fundit mbi gjendjen ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore, tregon se ekonomia e Kosovës gjatë pandemisë ra 6.9 për qind.

“Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6.9 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet 4 për qind këtë vit pasi COVID-19 vendoset nën kontroll dhe besimi i konsumatorit dhe biznesit rikthehet”, njofton Banka Botërore, përcjell Telegrafi.

Ndërsa sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 5.2 për qind, kurse aktiviteti ekonomik për vitin aktual do të jetë më pozitiv.

“Në vlerësimit të trajektores të ekonomisë gjatë fazave të hershme, Banka Qendrore ka dal me vlerësimin se do të ketë rënie rreth 3 për qind. Pastaj, në muajin shtator të 2020-së e kemi bërë një rivlerësim dhe është vërejtur se për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi, rënia mund të jetë edhe më e thellë dhe kemi dal me një rivlerësim se rënia do të jetë 7.2 për qind. Tani, të dhënat të Agjencisë së Statistikave të Kosovës sugjerojnë se rënia mund të jetë pak më e vogël se 7.2 për qind, ku aktualisht e kemi pozicionin që rënia ekonomike mund të jetë 5.2 për qind për vitin 2020. Për të dhënë parashikimet për vitin 2021, pritjet e Bankë Qendrore në krahasim me vitin e kaluar janë se, aktiviteti ekonomik do të duhej të jetë më pozitiv, sepse nuk kemi arsye të mendojmë se do të vazhdoj recesioni edhe për këtë vit”, ka pohuar në një intervistë për Telegrafin, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli.

FMN tha se ekonomia e botës pritet të rritet për 6 për qind këtë vit dhe 4.4 për qind vitin e ardhshëm.

Shifrat janë më të larta se parashikimet e bëra në janar për 5.5 për qind rritje këtë vit dhe për 4.2 për qind në vitin 2022.

Ky recesion ekonomik e ka tkurrur ekonominë botërore për rreth 3.3 për qind në vitin 2020. /Telegrafi/