LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Pas vendosjes nën kontroll të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4 për qind

Banka Botërore: Pas vendosjes nën kontroll të pandemisë COVID-19, ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4 për qind

Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6.9 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet 4 për qind për vitin aktual.

Kështu ka deklaruar Banka Botërore në raportin e fundit mbi gjendjen ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore, përcjell Telegrafi.


“Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6.9 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet 4 për qind këtë vit pasi COVID-19 vendoset nën kontroll dhe besimi i konsumatorit dhe biznesit rikthehet”, njofton Banka Botërore.

Ndërsa sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 5.2 për qind, kurse aktiviteti ekonomik për vitin aktual do të jetë më pozitiv.

“Në vlerësimit të trajektores të ekonomisë gjatë fazave të hershme, Banka Qendrore ka dal me vlerësimin se do të ketë rënie rreth 3 për qind. Pastaj, në muajin shtator të 2020-së e kemi bërë një rivlerësim dhe është vërejtur se për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi, rënia mund të jetë edhe më e thellë dhe kemi dal me një rivlerësim se rënia do të jetë 7.2 për qind. Tani, të dhënat të Agjencisë së Statistikave të Kosovës sugjerojnë se rënia mund të jetë pak më e vogël se 7.2 për qind, ku aktualisht e kemi pozicionin që rënia ekonomike mund të jetë 5.2 për qind për vitin 2020. Për të dhënë parashikimet për vitin 2021, pritjet e Bankë Qendrore në krahasim me vitin e kaluar janë se, aktiviteti ekonomik do të duhej të jetë më pozitiv, sepse nuk kemi arsye të mendojmë se do të vazhdoj recesioni edhe për këtë vit”, ka pohuar në një intervistë për Telegrafin, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli. /Telegrafi/