Në nder të Ditës së Ushtrisë së Kosovës, një ditë që përkujton shërbimin, sakrificën dhe përkushtimin për lirinë dhe sigurinë e vendit, FLORI Gallery ka prezantuar ekspozitën e radhës me titull “No Better Friend, No Worse Enemy”.

Ekspozita udhëhiqet nga Gëzim Hazrolli, Gjeneral Major dhe për herë të parë shënon zbulimin zyrtar të portretit të Gjeneralit James Norman Mattis, Gjeneral me katër yje i Korpusit të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe ish-Sekretar i Mbrojtjes së ShBA-ve.


Kjo përfaqëson një gjest mirënjohjeje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Ushtrisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në garantimin e lirisë, stabilitetit dhe sigurisë kombëtare të Kosovës.

Vizitorët e ekspozitës mund të shohin portretin madhështor të Gjeneral Mattis, i cili simbolizon miqësinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Përveç portretit kryesor, ekspozita përfshinë edhe disa fotografi nga projekti “Keep Calm and Smile” të autorit Korab Basha, të cilat sjellin një dimension të ndryshëm artistik dhe emocional në këtë ngjarje.

Kuratori i ekspozitës dhe artistët pjesëmarrës theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për kontributin e Ushtrisë së Kosovës dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë e vendit.

Ekspozita “No Better Friend, No Worse Enemy” qëndron e hapur për vizitorët në FLORI Gallery, duke ofruar një mundësi unike për të parë kombinimin e artit vizual dhe mesazheve të forta patriotike dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/