Flick: E dimë që ka lojtarë që mund të luajnë si numri 9, dhe mendojmë për këtë, kjo është puna jonë

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për opsionet që ka ekipi në repartin ofensiv, pasi u pyet për alternativat e mundshme në rast se Robert Lewandowski mungon, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes dhe fleksibilitetit të skuadrës përpara përballjes ndaj Guadalajara në Kupën e Mbretit.
Tekniku gjerman pranoi se stafi teknik i kushton vëmendje të vazhdueshme këtij aspekti, duke nënvizuar se Barcelona ka disa lojtarë që mund të luajnë në rolin e sulmuesit qendror.

“Ne gjithmonë mendojmë për këtë. E dimë që ka lojtarë që mund të luajnë si numër 9 dhe e analizojmë vazhdimisht këtë mundësi. Kjo është puna jonë”, ka thënë Flick.
Ai përmendi konkretisht Fermin Lopez, Marcus Rashford dhe Ferran Torres si lojtarë të aftë për të mbuluar këtë pozicion, përveç Lewandowskit, duke shtuar se ka edhe alternativa të tjera brenda skuadrës.

“Ka edhe lojtarë të tjerë që janë të aftë të luajnë në këtë rol”, shtoi Flick, duke vënë në pah thellësinë e skuadrës dhe opsionet që ka në dispozicion për ndeshjen e ardhshme të Barcelonës ndaj Guadalajaras në Kuadër të Kupës së Mbretit. /Telegrafi/










































