Flasin prindërit e njërës prej vajzave që rrahën 17-vjeçaren në Fier: Ajo ka nevojë për trajtim


Mes reagimeve që ka sjellë ngjarja e rëndë e rrahjes së një 17-vjeçareje në Fier, kanë folur edhe prindërit e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në këtë rast.
Ata tregojnë se ngjarjen e kanë mësuar fillimisht përmes mediave dhe më pas janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre.
Me lot në sy, nëna e 15-vjeçares i kërkon falje publike vajzës së rrahur dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për atë që ka ndodhur.
Prindërit bëjnë me dije se vajza e tyre është diagnostikuar 3 muaj me pare me probleme të shëndetit mendor dhe se prej kohësh kanë kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj.
Sipas tyre, ajo kishte shfaqur edhe më parë episode agresiviteti, por kërkesat për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e nevojshme.
Përballë pamundësive ekonomike për të financuar trajtimin e specializuar, familja u bën thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në kurimin e vajzës, me shpresën se ajo do të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe psikologjik.
Prindërit theksojnë se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen, të mos neglizhohet nevoja për trajtimin e problemeve të saj shëndetësore./A2CNN.


































