LAJMI I FUNDIT:

Flamuri në rrezik!

Deklarimi kërcënues i kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Zoran Stankoviq, se "flamuri shqiptar duhet ndryshuar", tani ka marrë formë të prerë, duke caktuar afatin e fundit.

Pra, ai ultimativisht dhe në mënyrë të njëanshme shprehet se këtë punë nëse nuk e bëjnë shqiptarët sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë, atëherë për Festën e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor 2013, do të ndalohet!


Ky diskriminim dhe kjo shkelje e dinjitetit elementar të ndjenjave kombëtare dhe simbolit të shqiptarëve të Luginës dhe të mbarë shqiptarisë është duke ndodhur krahas zhvillimit të dialogut të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë në Bruksel.

E vërteta e trishtueshme se Lugina e Preshevës në këtë dialog nuk u përmend fare, nga shqiptarët e kësaj ane u përjetua si tragjedi e madhe dhe si tradhti kombëtare.

Ky veprim i papërgjegjshëm dhe antishqiptar është duke ndodhur pikërisht në kohën kur Qeveria e Kosovës është duke siguruar të drejta dhe standarde të larta për pakicat etnike në Kosovë, duke e veçuar minoritetin serb dhe duke e toleruar atë deri në absurd! Niveli i të drejtave që u sigurohen serbëve në Kosovë është i pakrahasueshëm me cilindo minoritet në Evropë, duke ndërtuar kështu një model "sui generis" të pakrahasueshëm me cilindo shtet demokratik në botë.

Njëkohësisht kemi edhe paradoksin e tjetër, që gjithashtu paraqet rast “sui generis”: shqiptarët e Luginës së Preshevës janë i vetmi minoritet në Evropë i cili nuk ka tekste për zhvillimin e mësimit në gjuhën amtare qe pesë vjet e më tepër. Kurse tani ata kërcënohen me ndryshim të pamjes së flamurit kombëtar.

Mospërfillja e Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj pjese duket se është i sinkronizuar dhe harmonizuar mirë me Qeverinë e Serbisë. Dyshimet tona për bashkëpunimin Thaçi-Daçiq në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës na përforcohen edhe më tepër, meqë nuk kemi asnjë reagim e as prononcim të Qeverisë së Kosovës kundër këtij vendimi antishqiptar të Qeverisë së Serbisë për përdhosjen e flamurit kombëtar. Madje, as Qeveria e Shqipërisë nuk ka reaguar fare në këtë drejtim.

Nuk e dimē akoma se çka janë në gjendje të na servojnë “triumvirati” Thaçi-Daçiq-Rama dhe ku janë kufijtë e kësaj politike?! Por, së paku një gjë e kemi të qartë ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, që kemi mbetur nën Serbi. Pra, se plani sekret për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore është duke ndodhur me shpejtësi marramendëse. Kontribuesit për përjetimin e fatit të Çamërisë, së paku kësaj radhe, i dimë të gjithë!