Nga: John Harris / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Nuk është e nevojshme të zgjedhim vetëm disa nga shpjegimet e shumta për rikthimin politik të Donald Trumpit. Shumica e arsyeve të pafundme që kemi dëgjuar, gjatë pesë ditëve të fundit, tingëllojnë të sakta: inflacioni, pushteti, fushata e dobët e demokratëve, çështjet pothuajse të përjetshme të amerikanëve të bardhë me racën dhe ajo që një eseist i New York Times-it e quajti së fundmi “një ide regresive të maskulinitetit, ku pushteti mbi gratë konsiderohet si një e drejtë e lindur”. Por, ekziston një tjetër histori, që deri tani është anashkaluar dhe lidhet me mënyrën si funksionon politika sot dhe me atë që votuesit kanë në mendje kur shkojnë në kutinë e votimit.
Elementi më real i kësaj historie ka të bëjë me të majtën dhe një fakt të pashmangshëm: shumë njerëz thjesht nuk na pëlqejnë. Në Britani, kjo është pjesërisht arsyeja pse ndodhi Brexit-i, pse Nigel Farage është rikthyer dhe pse qeveria jonë e re laburiste duket kaq e dobët dhe e brishtë. Në ShBA, kjo shpjegon disi pse më shumë se 75 milionë votues tashmë refuzuan opsionin e supozuar progresiv dhe zgjodhën një të dënuar për krime dhe një nxitës të kryengritjes që të drejtojë jetën e tyre.
Kjo histori shkon përtej Kamala Harris-it dhe përpjekjes së saj të dështuar për pushtet. Kur partitë e krijuara në krahët progresiv dhe konservator të politikës hyjnë në zgjedhje, në mendjen e shumë njerëzve ato përfaqësojnë një grup shumë më të madh forcash, pavarësisht nëse kandidatët e tyre e pëlqejnë këtë apo jo. Në fund të fundit, ajo që njerëzit e kuptojnë si e majtë dhe e djathtë funksionon shumë përtej institucioneve shtetërore: betejat politike zhvillohen në media, në rrugë, në vendet e punës, në universitete etj. Kjo ka qenë gjithmonë kështu, por ndërsa mediat sociale i kthejnë këta zëra në një zhurmë të padurueshme, bëhet e pashmangshme të shohësh partitë e mëdha dhe kandidatët si maja të akullnajave shumë më të mëdha.
Trumpi udhëheq lëvizjen që ishte përgjegjëse për kryengritjen e 6 janarit; ai ka bërë deklarata të drejtpërdrejta për afërsinë e tij me të djathtën ekstreme dhe nuk i fsheh asnjërën nga këto. Për demokratët, duken shumë më të paqarta lidhjet që bashkojnë një figurë centriste si Harrisi me të majtën më të gjerë të ShBA-së, por kjo nuk i bën perceptimet e miliona njerëzve më pak reale. Në të vërtetë, për shumë votues në të gjithë botën, e majta duket si një bllok koherent që shkon nga njerëzit që protestojnë në rrugë dhe bllokojnë universitetet për ata që synojnë të bëhen presidentë dhe kryeministra. Për disa, aktivistët radikalë janë të sinqertë për idetë e tyre, ndërsa ata që kandidojnë për poste përpiqen t’i fshehin.
Ajo që rezultati i zgjedhjeve në ShBA tregon është se, kur u kërkohet të bëjnë një zgjedhje, miliona njerëz mbështeten në këto ide dhe bëjnë aleancë me krahun tjetër politik. Shumë prej tyre kanë arritur në këtë përfundim për shkak të paragjykimeve të tyre të drejtpërdrejta. Por, duke marrë parasysh shpërndarjen e jashtëzakonshme të votave për Trumpin – në pjesë të elektoratit latino-amerikan dhe afrikano-amerikan, si dhe në shtete të konsideruara si baza besnike të demokratëve, nga Kalifornia deri në Nju-Xhersi – kjo nuk e shpjegon plotësisht fitoren e tij. Thekson diçka që shumë amerikanë, britanikë dhe evropianë e kanë ditur prej të paktën 15 vjetësh: e majta tani po largon një pjesë të madhe të mbështetësve të saj të dikurshëm.
Kjo histori ka rrënjë të thella, pjesërisht të lidhura me rënien e besnikërive politike të bazuara në klasë. Krahasuar me vitin 2008, koalicioni demokrat i vitit 2024 anonte nga fundi më i lartë i shkallës së të ardhurave, ndërsa koalicioni i Trumpit anonte në drejtim të kundërt. Kjo lloj thyerjeje duket se tani po ndikon edhe te besnikëritë politike të bazuara në etni. Siç e di mirë Trumpi, tani ka një numër të madh votuesish nga minoritetet dhe me prejardhje emigrante, që në masë të madhe pranojnë idetë e djathta për imigracionin. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se ekonomitë moderne krijojnë një konkurrencë të dëshpëruar për përfitime.
Por, duket se ka më shumë se kaq: sondazhet tregojnë se ideja se “qeveria duhet të rrisë sigurinë dhe ligjin në kufi” gëzon mbështetje më të lartë nga votuesit afrikano-amerikanë dhe hispanikë sesa nga progresistët e bardhë. E njëjta gjë vlen edhe për pohime të tilla si “shumica mund t’ia dalin mbanë po të punojnë” dhe “Amerika është vendi më i mrekullueshëm në botë”. Me fjalë të tjera, segmentet e forta të elektoratit nuk janë ato që e majta mendon se janë.
Ndërkohë, hendeku politik që po zgjerohet, bazuar në nivelin e arsimimit të njerëzve – votuesit pa diploma kolegji mbështetën Trumpin me një diferencë prej 14 pikësh, ndërsa Harrisi kishte një avantazh prej 13 pikësh te njerëzit me arsim të lartë – krijon më shumë probleme. Disa prej tyre kanë të bëjnë me “zgjimin” [wokeness] dhe mangësitë e tij. Meqenëse politika e majtë shpesh shoqërohet me institucionet e arsimit të lartë, idetë që synojnë gjithëpërfshirjen shpesh mund të kthehen në të kundërtën. Rezultati është një agjendë që shpesh shprehet me arrogancë paragjykuese dhe që bazohet në kode të sjelljes – lidhur me diskriminimet ose përdorimin e saktë të përemrave – të cilat janë shumë të vështira për t’u kuptuar nga njerëzit jashtë qarqeve me arsim të lartë.
Në të njëjtën kohë, diskursi ynë në internet i forcon qëllimet e mira në një stil aktivizmi gjithçka ose asgjë që nuk toleron nuanca apo kompromise. Një mesazh për të majtën kalon më pas nga një pjesë e shoqërisë në tjetrën: ekziston një rrip transmetues mes thirrjeve që qarkullojnë në kampuset universitare, në rrjedhën kryesore të demokratëve, dhe te votuesit e shqetësuar në, le të themi, periferitë dhe zonat rurale të Pensilvanisë. E djathta mund ta përdorë këtë për përfitim, siç dëshmohet nga një reklamë e Trumpit që ishte e pagdhendur dhe mizore, por me efekt: “Kamala është për ata. Presidenti Trump është për ju.”
Në mënyrën e vet të shëmtuar, kjo linjë thekson atë që mund të ketë qenë aseti më i fortë i Trumpit dhe përkrahësve të tij: ideja se, sepse janë kaq të distancuar dhe të privilegjuar, progresistët modernë do të preferonin të injoronin pyetjet për ekonominë e përditshme. Gati 40 për qind e amerikanëve thonë se kanë hequr dorë nga vaktet për të përballuar pagesat e banimit dhe më shumë se 70 për qind pranojnë se jetojnë me makth ekonomik. Një mandat i dytë i Trumpit, natyrisht, nuk do ta përmirësojë këtë situatë; thelbi është se ai arriti të shtirej me sukses sikur do ta bënte këtë.
Kjo më pas hapi rrugën për diçka edhe më të habitshme: pretendimin e papritur të Trumpit për të qenë një unifikues i madh, diçka që krahasohet në mënyrë të nënkuptuar me zakonin e progresistëve për t’i ndarë njerëzit në ishuj demografikë. Duhet një nivel thuajse djallëzor guximi për të kaluar nga urrejtja dhe ligësia te një mesazh i ri dashurie për shumicën e amerikanëve. Megjithatë, vini re atë që tha ai për koalicionin e tij të votuesve: “Ata erdhën nga të gjitha sferat: sindikatat, jo-sindikatat, afro-amerikanët, hispanikët, aziatiko-amerikanët, arabët amerikanë, myslimanë amerikanë. I kishim të gjithë. Dhe ishte gjë e bukur”. Ky është tingulli gjithnjë e më i njohur i populizmit në oborrin e së majtës.
Asnjë nga këto nuk ka për qëllim të nënkuptojë se shumica e kauzave progresive janë të gabuara, as nuk jep ndonjë argument për të anuar nga trumpizmi. Ajo që thekson gjendja e politikës në të gjithë Perëndimin ka të bëjë më shumë me tonin, strategjinë, empatinë dhe mënyrën se si do t’i bësh njerëzit për vete kur përpiqesh të ndryshosh shoqërinë – si dhe platformat që helmojnë debatin demokratik dhe dëmin që ato i shkaktojnë politikës progresive. Herën tjetër që të shihni dikë në të majtën duke u zier me tërbim në peizazhin e ferrit të njohur tashmë si X, ia vlen të kujtoni se pronari i tij aktual është Elon Musk, i cili mund të jetë gati për të ndihmuar Trumpin në shkurtimin masiv të shpenzimeve publike të ShBA-së, ndërkohë që ironizon dobësitë e armiqve të presidentit dhe zakonin e tyre për të ecur nëpër kurthe të shndritshme. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Sabrina Carpenter është një bebe ‘nepo’” - Fansat janë habitur pasi zbuluan se këngëtarja ka një teze shumë të famshme
Nga mjek i syve në diktator: Ngritja dhe rënia e presidencës së Bashar al-Assadit
Një fëmijë i vogël del nga qelia e burgut në “thertoren njerëzore” të Assadit ndërsa rebelët lirojnë të burgosurit
Keira Knightley deshi ta braktiste aktrimin pas diagnostikimit me PTSD
Assad ndodhet në Moskë? Të gjitha zhvillimet e fundit në Siri, MINUTË PAS MINUTE
Osmani takon Elon Musk në Paris
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nga mjek i syve në diktator: Ngritja dhe rënia e presidencës së Bashar al-Assadit
Assad ndodhet në Moskë? Të gjitha zhvillimet e fundit në Siri, MINUTË PAS MINUTE
SHBA kryen më shumë se 75 sulme ajrore ndaj IS në Siri
Në TikTok shqiptarët ftohen për t’i dëmtuar monumentet serbe, kërkohet kujdes
Një fëmijë i vogël del nga qelia e burgut në “thertoren njerëzore” të Assadit ndërsa rebelët lirojnë të burgosurit
“Ai dhe unë refuzuam të luanim së bashku - dy ditë më vonë e shiti klubi” - Van der Vaart tregon historinë me Ibrahimovic